Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin e energjisë, duke nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Électricité de France (EDF) dhe Agence Française de Développement (AFD) për hartimin e strategjisë së magazinimit të energjisë në Shqipëri.
Marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin e një kuadri strategjik për magazinimin e energjisë, me fokus rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe përballimin më të mirë të luhatjeve në prodhimin nga burimet e rinovueshme.
Sipas KESH-it, projekti do të kontribuojë në integrimin më të madh të energjisë së rinovueshme në rrjet, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe në modernizimin e infrastrukturës energjetike të vendit.
Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm në kuadër të tranzicionit energjetik dhe përmbushjes së objektivave për integrimin europian të Shqipërisë, duke forcuar partneritetin me institucione ndërkombëtare me eksperiencë në zhvillimin e projekteve strategjike në fushën e energjisë.







