Ballina Lifestyle Hoqi tatuazhin kushtuar të atit, por jo dhuratën luksoze, Brooklyn Beckham kapet...

Hoqi tatuazhin kushtuar të atit, por jo dhuratën luksoze, Brooklyn Beckham kapet me orën 250 mijë £ nga David Beckham

98
0

Familja e famshme Beckham po përjeton një tjetër episod të tensionuar. Sipas mediave britanike, Brooklyn Beckham është parë në Los Angeles me një orë luksoze Patek Philippe Nautilus, me vlerë rreth 250 mijë paund, dhuratë nga babai i tij, David Beckham, pavarësisht raportimeve për një përçarje serioze brenda familjes.

26-vjeçari, i cili prej kohësh është zhvendosur në SHBA dhe po ndjek pasionin për kuzhinën, është fotografuar në shoqërinë e bashkëshortes së tij, Nicola Peltz. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave është fakti se, ndonëse Brooklyn thuhet se po distancohet nga familja, ai vazhdon të mbajë në dorë dhuratën më të shtrenjtë të të atit.

Ora luksoze i është dhuruar në ditëlindjen e tij të 21-të, në vitin 2020. Vetë Brooklyn kishte deklaruar më herët për të: “Është ora ime e preferuar. E mbaj çdo ditë. Ma ka blerë babai për 21-vjetorin tim.”

Sipas raportimeve, Brooklyn është parë gjithashtu duke mbajtur me vete edhe shishe vere shumë të shtrenjta, mes tyre Château Margaux 1982, e njohur si vera e preferuar e David Beckham, si dhe Château Latour 1989.

Mediat britanike shkruajnë se muajin e kaluar Brooklyn publikoi një deklaratë tronditëse në Instagram, ku akuzonte nënën e tij, Victoria Beckham, për sjellje të papërshtatshme gjatë dasmës së tij në Florida në vitin 2022.

Po ashtu, ai thuhet se ka filluar të mbulojë ose të fshehë tatuazhet që kishte bërë në nder të prindërve, duke shtuar edhe më shumë zërat për një përçarje të thellë familjare.

Ndërkohë, mungesa e tij është vënë re edhe në festën e ditëlindjes së vëllait të tij, Cruz Beckham, ku ishin të pranishëm prindërit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

Raportohet gjithashtu se Brooklyn ka hequr nga lista e ndjekësve në Instagram edhe mikun e familjes, shefin e famshëm Gordon Ramsay, pasi ky i fundit kishte dhënë një koment publik duke i bërë thirrje të mos “harronte nga kishte ardhur”.

Në të njëjtën kohë, vëllai tjetër i tij, Romeo Beckham, si dhe motra më e vogël, Harper Beckham, janë përmendur shpesh në raportimet e fundit mbi këtë krizë familjare që duket se po thellohet gjithnjë e më shumë.