Parku fotovoltaik i Spitallës duhet të nisë prodhimin brenda vitit 2027. Kushti për projektin e dytë më të madh fotovoltaik në vend është vendosur nga Enti Rregullator i Energjisë, duke e lidhur kështu licencimin me ecurinë e këtij projekti, që konsiderohet si një prej investimeve më të rëndësishme energjetike të viteve të fundit.
Po ashtu, sipas vendimit të ERE, “Spitalla Solar” përpara fazës së prodhimit duhet të dorëzojë marrëveshjen e nënshkruar me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, që përcakton pikën e lidhjes së parkut me rrjetin.
Parku fotovoltaik i Spitallës u shpall fitues në ankandin e vitit 2021 si një projekt 100 MW, ndërsa në fazën e licencimit ERE ka miratuar kapacitetin e instaluar prej 90 MW. Çmimi i ofertuar prej 29.89 euro/mWh u konsiderua tejet i favorshëm, me 70 MW që do blihen nga shteti për 15 vjet dhe 30 MW që do të tregtohen në treg të lirë. Në këto kushte, kapaciteti i reduktuar në 90 MW duket se do të sjellë ndryshime në ndarjen mes sasisë së energjisë që blihet nga shteti dhe asaj që kompania do të tregtojë në treg të lirë.
Hyrja në prodhim e kësaj vepre energjetike do të jetë një hap i rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, për shkak të varësisë që vendi ynë ka nga uji. Aktualisht, vetëm 6% e energjisë totale në vend gjenerohet nga dielli, ndërsa pjesa tjetër prodhohet nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit dhe HEC-et private e koncesionare.







