Qeveria zbuloi se ka depozituar 167 milionë euro në Fondin e Veçantë të Pensioneve. Këto para ishin programuar për t’u shpenzuar në buxhetin e vitit 2025, por për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve, qeveria vendosi që fondet të kalojnë në një llogari të posaçme të krijuar në Bankën e Shqipërisë, e cila do të financojë rritjen e pensioneve.
Sipas Ministrisë, transferimi i këtyre fondeve përfaqëson një premtim të mbajtur dhe një angazhim të qartë për të përmirësuar sistemin e pensioneve, duke siguruar stabilitet afatgjatë dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike.
Reforma e Pensioneve do të vijojë të zbatohet me vendosmëri, me qëllim ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për çdo qytetar. Transferimi i këtyre fondeve buxhetore është kryer në zbatim të Aktit Normativ Nr. 11, datë 19.12.2025, si dhe në përputhje me kuadrin ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor.
Ky është një hap konkret në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë financiare të sistemit të pensioneve dhe garantimit të një mbështetjeje më të drejtë dhe më të sigurt për pensionistët, shprehet Ministria e Financave.







