Ballina Aktualitet Tenderi 4.1 mln euro për ujësjellësin në Memaliaj në gjyq, banorët e...

Tenderi 4.1 mln euro për ujësjellësin në Memaliaj në gjyq, banorët e 8 fshatrave ende pa ujë të pijshëm

81
0

Tenderi me vlerë 4.1 milionë euro për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkia Memaliaj është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Projekti parashikonte furnizimin me ujë të pijshëm për tetë fshatra – Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahes si dhe për qytetin e Memaliajt.

Megjithatë, ndërsa çështja ndodhet tashmë në dyert e drejtësisë, banorët e zonave të përfshira në projekt vijojnë të përballen me mungesë furnizimi nga rrjeti publik.

Sipas tyre, ujësjellësi i premtuar nuk ka garantuar shërbimin e nevojshëm, duke i detyruar familjet të gjejnë zgjidhje alternative.

Në mungesë të ujit të pijshëm në banesa, shumë prej tyre kanë hapur puse individuale, disa pranë shtëpive e të tjerë në tokat bujqësore.

Kjo situatë ka sjellë kosto shtesë për qytetarët, si për ndërtimin ashtu edhe për mirëmbajtjen e puseve dhe pajisjeve të pompimit.

Banorët shprehen se përtej procesit gjyqësor, problem mbetet furnizimi i përditshëm me ujë, një shërbim bazë që prej vitesh është premtuar si i zgjidhur përmes investimit milionësh.

Ndërkohë, pritet që gjykata të shqyrtojë dosjen e dërguar nga SPAK dhe të përcaktojë përgjegjësitë lidhur me procedurat dhe zbatimin e tenderit.