Ballina Kronika Vrasja e Egli Pashollarit, del fotoja kur autori largohet qetësisht me gruan

Vrasja e Egli Pashollarit, del fotoja kur autori largohet qetësisht me gruan

125
0

Ky është momenti kur Gazmend Buçpapa largohet së bashku me bashkëshorten e tij nga zona e ish-Parkut në kryeqytet, pasi goditi tri herë me thikë 31-vjeçarin Egli Pashollari, i cili ndërroi jetë më pas në spital.

Foto ekskluzive e siguruar nga Tv Klan është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, ku shihet 40-vjeçari teksa ecën me gruan e tij qetësisht.

Burime pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se vrasësi kishte mbërritur në zonë rreth orës 15:30 për të marrë bashkëshorten e tij, e cila punonte në një market fare pranë vendit të ngjarjes. Sapo e reja ka hipur në makinë, autori ka parë në distancë të riun Egli Pashollari të shoqëruar me një shok të tij.

Viktima nuk ishte i panjohur për 40-vjeçarin Buçpapa, pasi më herët bashkëshortja e tij i ishte ankuar se i riu e kishte ngacmuar. Në këto kushte, ai ka dalë nga makina dhe është drejtuar për te 31-vjeçari, duke e goditur me thikë një herë në qafë dhe më pas dy herë në trup.

Pasi ka lënë të plagosur të riun, ai ka marrë sërish makinën dhe e ka braktisur pak metra larg zonës ku ndodhi ngjarja, ndërsa së bashku me bashkëshorten e tij janë larguar me taksi. Policia ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë automjetin tip Audi, me të cilin autori erdhi në vendngjarje, si dhe ka marrë në pyetje bashkëshorten e tij, teksa vijon kërkimet për Buçpapën.

E reja, përpara oficerëve të policisë, ka rrëfyer se viktima e ngacmonte shpesh, për shkak se ajo punonte në një market në lagjen e tij, shqetësim të cilin ia kishte përcjellë edhe bashkëshortit të saj.