Ballina Aktualitet “Jemi zhytur në borxhe dhe kredi!”- 300 hektarë me sera në Dimal...

“Jemi zhytur në borxhe dhe kredi!”- 300 hektarë me sera në Dimal nën ujë prej ditësh, fermerët: Prodhimi u kalb nga përmbytjet, kemi falimentuar!

86
0

Fshati Goriçan, në bashkinë Dimal të qarkut Berat, është prekur 7 herë nga përmbytjet e njëpasnjëshme të muajit dhjetor 2025 dhe vitit 2026 dhe dëmet e shkaktuara kanë qenë të mëdha.

Përmbytja e tij e fundit ishte tre ditë më parë, si pasojë e hapjes së portave të digave dhe 300 hektarë me sera në këtë fshat janë ende edhe sot nën ujë.

Përmbytja e fundit i gjeti serat sërish të mbjella me domate, speca, lakra, tranguj etj., dhe prodhimi u kalb sërish. Siç edhe mund të shihet në pamjet filmike, prodhimi i shkulur nga serat e mbjella është i gjithi i hedhur në kanale.

Në serat, që sot janë ende nën ujë, uji arriti deri në 1 metër, duke shkatërruar gjithçka, ndërkohë që mbjellja e fidanëve të rinj në to është e pamundur, pa u tharë tërësisht toka. Të njëjtin fat ka pësuar edhe një fermë me dele e qingja, ku uji mori me vete rreth 70 krerë të tyre dhe të gjithë ushqimin.

Fermerët pohojnë se dëmet janë të pallogaritshme dhe se ata janë tashmë të falimentuar. Duke qenë se humbjet në kulturat bujqësore janë të mëdha, fermerët kërkojnë mbështetje financiare nga autoritetet për dëmet që ju janë shkaktuar dhe këtë herë jo nga natyra por nga dora e njeriut.

Ata shprehen se “edhe pse dëmet janë verifikuar disa herë, deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti për çdo përmbytje që ka ndodhur”.

Duke pohuar se ‘janë kredhur në borxhe e në kredi’, ata i bëjnë apel shtetit ‘t’i dëmshpërblejë dhe t’u kompensojë fidanët, që janë mbjellë e përmbytur 4 herë me radhë brenda këtyre dy muajve si dhe të ndërtojë një argjinaturë mbrojtëse për të mos u përmbytur sërish’.

Fermerët shprehen se, “rikuperimi i tokës dhe fillimi i një cikli të ri prodhimi do të jetë i mundur vetëm pas 2-3 muajve, deri në tharjen e plotë të tokës, kur del edhe prodhimi i fushës”.