Ballina Ekonomia Zhbllokohet rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, hyn në fuqi udhëzimi i Ministrisë...

Zhbllokohet rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, hyn në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe Kadastrës

134
0

Është botuar në fletoren zyrtare udhëzimi që i hap rrugën rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Në udhëzim thuhet se të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026. Gjithashtu rivlerësimi mund të kryhet edhe për ato pasuri që e kanë kaluar një herë këtë proces.

Në rastet kur individi ka më shumë se një pasuri në pronësi rivlerësimi do të bëhet për secilën në mënyrë individuale. Në udhëzim është specifikuar se i gjithë procesi do të realizohet online, me dy procedura, me ekspert të licencuar ose pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kur një individ zgjedh që rivlerësimin ta bëjë në ASHK, vlera e pronës së tij i afrohet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi.

“Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu”, thuhet në udhëzim.

Ndërsa kur rivlerësimi bëhet me ekspert të licencuar, vlera e pronës mund të dalë edhe më e lartë.

“Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal”, vijon udhëzimi.

Për herë të parë në këtë proces që synon të afrojë vlerën e pronës me ccmimet reale të tregut do të njihet edhe amortizimi i pronës, 1% për ccdo vit vjetërsie.

“Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në 2 në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, pika 5, 22/1, 22/3 dhe 22/4 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, theksohet në udhëzim.