Biznesi brenda partisë është shndërruar në një plaçkitje të madhe të pronës publike, aq sa zyrtarët apo ish-zyrtarët veprojnë në mënyrë të hapur, vetëm e vetëm që të kënaqin eksponentë të mazhorancës. Një rast tipik i abuzimit vjen nga Qarku i Dibrës, pikërisht nga kryetarja e Bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri.
Me vendime tepër të befta, pa kryer asnjë konsultim publik, dëgjesë me banorët e zonës e gjithçka tjetër, Festimja ka nxjerrë në ankand një pronë të stërmadhe prej rreth 85 hektarësh në Martanesh, për një park të madh aerogjenerator. Ka dyshime se, të gjitha dokumentet e kryera nga vetë Bashkia e Bulqizës, janë qepur për t’ia dhënë një tjetër eksponenti të Partisë Socialiste.
Dokumentet e hulumtuara nga redaksia e Vox News tregojnë se përfitues i kësaj sipërfaqe të stërmadhe është Ardit Kaja, një ish-deputet dhe Prefekt i Dibrës. Dyshimet janë se, Kaja gjatë kohës që ndodhej në prefekturë, apo edhe në zyra të tjera shtetërore në Dibër, ka “qepur” letrat e tokës dhe me njohje e lidhje të afërta me strukturat e PS-së, ka arritur që ta marrë këtë leje.
Por, skandali thellohet më tej për shkak se Bashkia e Bulqizës, apo edhe firma fituese e kësaj leje, nuk ka bërë asnjë konsultim me banorët e zonës së Martaneshit, të cilët janë shkelur dhe nëpërkëmbur nga vetë kjo bashki, duke qenë se pushteti lokal apo qendror nuk ka ndalur një projekt të shumë debatuar për ndërtimin e një HEC-i, duke devijuar ujërat e Basenit Mat në Basenin Drin.

Fituesi i ankandit
Ditët e fundit, sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia e Bulqizës ka shpallur fituesin e një ankandi të hapur para pak javësh, me objekt “dhënie në përdorim nga fondi pyjor/kullosor për ndërtim aerogjenerator, fotovoltaik (stacionet, bazamentet dhe objektet përkatëse) në pasurinë me sipërfaqe totale 85.9 ha, në fshatin Melcu, Njësia Administrative Martanesh”.
Mësohet se, vlera fillestare e ankandit ishte 132.000 lekë për hektarë në vit. Në total, për të gjithë sipërfaqen prej 85.9 ha, vlera e ankandit ka dalë 11.3 milionë lekë.
“Vlera e shpallur fituese është 11.467.650 lekë/vit. Ofertuesi i shpallur fitues është subjekti ‘ALB-ML Solar Energy Investment’. Ofertuesi i shpallur fitues ftohet të paraqes pranë Bashkisë Bulqizë, zyrës juridike dhe prokurimeve, kopjen e nënshkruar të formularit te kontratës dhe të sigurimit të kontratës, siç parashikohet në dokumentat standarde të ankandit, brenda 10 ditëve nga shpallja,” thuhet në dokumente.
Por, zonja Festime Mjeshtri, a është bërë ndonjë konsultim me banorët e zonës? Çfarë lejesh ka marrë ky subjekt? A i janë përshtatur dokumentet kësaj firme? Dhe, më kryesorja, a ka ndikuar një nga pronarët e firmës te Ju vetë, apo te punonjësit e tjerë të Bashkisë Bulqizë?

Pronaret e Alb-ML Solar
Ky është një tjetër rast tipik për një dosje penale, qoftë në SPAK apo në institucionet e tjera të drejtësisë, ku bëhet biznes brenda partisë. Një ish zyrtar i lartë që përdor lidhjet e tij për të fituar një pronë të stërmadhe, madje duke njohur edhe vendin.
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, kompania “ALB- ML Solar Energy Investment” është themeluar në muajin korrik të vitit 2025, nga Latif Miha, ish-deputeti e prefekti Ardit Kaja dhe Saimir Jakimi. Kapitali i kompanisë është vetëm 100 mijë lekë, ndërsa Miha zotëron 60 % të shoqërisë, teksa Ardit Kaja dhe Saimir Jakimi zotëron secili nga 20 % të firmës.
Objekti i shoqërisë është ndërtim impiantesh dhe panelesh fotovoltaike për prodhim energjie elektrike, tregtim brenda dhe jashtë vendit të energjisë elektrike.
Vox News ka mësuar se një nga ortakët e kësaj shoqërie, Ardit Kaja, ka lidhje të forta me pushtetin. Ai ka qenë në vitin 2017 Prefekt i Dibrës, ndërsa më parë ka qenë drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Gjithashtu ka qenë edhe kryeinspektor i INUK, në Bashkinë e Tiranës në vitet 2010-2011. Ndërkohë, ai ka qenë për një legjislaturë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas, drejtor i Zyrës së Punës në Dibër.
Pikërisht postet që ka mbajtur, apo edhe lidhjet që ka krijuar, qoftë në pushtetin qendror, apo edhe atë lokal, e kanë bërë një nga njerëzit më me influencë në zonën e Dibrës. Aq sa Festimja e Bulqizës të anashkalojë procedura normale dhe të shkelë ligje dhe rregullore, vetëm e vetëm që t’i japë Kajës një sipërfaqe të stërmadhe, pa bërë një njoftim në Njësinë Martanesh apo edhe pa mbledhur formalisht banorët e fshatit ku do të ndërtohet ky park./ Voxnews.al







