Ballina Aktualitet Tirana, qyteti më i ndotur në Evropë sipas Numbeo, kryeson listën me...

Tirana, qyteti më i ndotur në Evropë sipas Numbeo, kryeson listën me indeksin më të lartë

50
0

Tirana renditet si qyteti më i ndotur mes 26 qyteteve evropiane të analizuara nga platforma ndërkombëtare Numbeo, duke kryesuar listën me një indeks ndotjeje prej 87.0, niveli më i lartë në të gjithë krahasimin. Kryeqyteti shqiptar lë pas Shkupin, i cili renditet i dyti me 82.2, dhe Napolin me 77.9, ndërsa më tej vijnë Beogradi me 68.7, Milano me 67.9 dhe Torino me 66.6.

Diferenca me shumë qytete të tjera evropiane është e konsiderueshme. Sarajeva ka një indeks prej 65.2, Barcelona 63.1, ndërsa Athina dhe Selaniku kanë përkatësisht 55.5 dhe 54.2. Edhe qytete të tjera të rajonit si Novi Sadi me 53.4 dhe Banja Luka me 56.1 paraqesin nivele më të ulëta ndotjeje krahasuar me Tiranën.

Kontrasti është edhe më i fortë në raport me qytetet e Evropës Perëndimore. Roma ka një indeks ndotjeje prej 48.1, Madridi 37.9, Lisbona 37.7, ndërsa Zagrebi vetëm 35.5. Ndërkohë, qytetet me ndotjen më të ulët në këtë renditje janë Valencia me 24.4, Porto me 24.5, Spliti me 27.6 dhe Ljubljana, e cila renditet e fundit me vetëm 23.8, pothuajse katër herë më pak se Tirana.

Indeksi i lartë i ndotjes në Tiranë lidhet me disa faktorë strukturorë që kanë shoqëruar zhvillimin e shpejtë urban të viteve të fundit. Rritja e numrit të automjeteve, shumë prej të cilave të përdorura dhe me standarde më të ulëta emetimi, ka ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e cilësisë së ajrit. Në të njëjtën kohë, ndërtimi intensiv, trafiku i dendur dhe mungesa e hapësirave të gjelbra në raport me densitetin e popullsisë kanë shtuar presionin mbi mjedisin urban.