Ballina Bota Shira të rrëmbyeshëm e stuhi në Brazil, 22 viktima, një qytet shpall...

Shira të rrëmbyeshëm e stuhi në Brazil, 22 viktima, një qytet shpall gjendjen e jashtëzakonshme

66
0

Të paktën 22 persona kanë vdekur nga shirat e rrëmbyeshëm që goditën shtetin e Minas Gerais, në juglindje të Brazilit, thanë sot autoritetet lokale.

Shërbimi i zjarrfikësve konfirmoi 16 vdekje në qytetin Juiz de Fora dhe gjashtë në Uba.

Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva shprehu ngushëllimet e tij në një postim në X.

“Ne jemi të përqendruar në ofrimin e ndihmës humanitare, rivendosjen e shërbimeve bazë, mbështetjen e të zhvendosurve dhe ndihmën në rindërtim”, shkroi ai.

Rreth 440 persona u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Juiz de Fora, sipas autoritetit bashkiak të qytetit, pasi shiu shkaktoi përmbytje dhe rrëshqitje toke dhe rezultoi në pezullimin e mësimit në shkolla.

Ekipet speciale janë mobilizuar për t’u marrë me incidentet dhe për të kërkuar persona të zhdukur, shtoi i njëjti burim.

Agjencia e lajmeve G1 raportoi se 45 persona ishin të zhdukur në qytet, përfshirë fëmijë.

Qeveria braziliane ka shpallur gjendje katastrofe në Juiz de Fora, duke përshpejtuar operacionet e ndihmës humanitare, thuhet në një deklaratë.

Pjesa më e madhe e Brazilit po hyn në kulmin e sezonit të shirave gjatë muajve të verës, nga dhjetori deri në mars, i cili shpesh sjell shira të rrëmbyeshëm, vetëtima, përmbytje dhe rrëshqitje toke.

Qyteti i Juiz de Fora tha se ishte shkurti më i lagësht në historinë e qytetit, me sasinë e ujit që tashmë kishte rënë dyfish më shumë se sa pritej në një muaj.

Kryetarja e bashkisë së qytetit, Margarida Salomao, tha në një deklaratë në mediat sociale se situata ishte “kritike”.