Fermerët në Serbi kanë përshkallëzuar protestat e tyre, të cilat po zgjasin prej dy javësh, duke bllokuar dhjetëra rrugë rajonale dhe lokale në të gjithë vendin me traktorë dhe makineri bujqësore.
Protestat nisën më 11 shkurt nga prodhuesit e qumështit në Serbinë qendrore dhe gradualisht u përhapën edhe në zona të tjera, me pjesëmarrjen e rreth 30 shoqatave bujqësore.
Kundërshtojnë importet dhe kërkojnë masa mbrojtëse
Fermerët po protestojnë kundër importeve të produkteve bujqësore, duke kërkuar ndalimin e importit të qumështit pluhur që përdoret nga industria për prodhimin e qumështit të pasterizuar. Ata gjithashtu kërkojnë vendosjen e tarifave të larta doganore për produktet e importuara të bulmetit dhe mishit.
Përfaqësuesit e tyre denoncojnë se në tregun serb po hyjnë produkte bujqësore me cilësi të ulët dhe çmime të lira, çka sipas tyre po ul çmimet në treg dhe po ua pamundëson fermerëve vendas shitjen e prodhimeve të tyre. Ata propozojnë ndalimin e përkohshëm të importeve deri në stabilizimin e situatës në treg.
Kriza e qumështit të freskët
Çmimi i ulët i qumështit të freskët është një problem i kahershëm për fermerët serbë. Situata është përkeqësuar së fundmi për shkak të tepricës në treg si pasojë e importeve, duke bërë që disa baxho të ndalojnë ose të kufizojnë blerjen e qumështit vendas.
“Ne nuk kërkojmë subvencione apo para, por pezullim të përkohshëm të importeve, në mënyrë që të rregullohet tregu dhe njerëzit të sigurojnë jetesën përmes punës së tyre”, deklaroi për mediat Milan Pajiç, përfaqësues i shoqatës së prodhuesve të qumështit.
Reagimi i qeverisë
Qeveria, në reagim ndaj protestave, fillimisht tentoi t’i paraqesë ato si të motivuara politikisht. Megjithatë, pas përhapjes së bllokadave në shkallë të gjerë, autoritetet u kanë bërë thirrje fermerëve për dialog.
Ministri i Zhvillimit Bujqësor, Dragan Glamoçiç, deklaroi në një konferencë për shtyp se, me ndërhyrjen e qeverisë, industrisë së madhe të përpunimit të qumështit do t’i kërkohet të rrisë gradualisht sasinë e blerjes së qumështit, duke e kthyer atë në nivelet para krizës.
Ai njoftoi gjithashtu se produktet bujqësore vendase që shiten në supermarketet e vendit do të kenë shenjë të dukshme që tregojnë se janë prodhuar në Serbi. Megjithatë, fermerët mbeten skeptikë, duke i cilësuar këto masa si “manovër dhe përpjekje për mashtrim”. Sipas tyre, për shkak të krizës ekonomike që po godet shoqërinë, konsumatorët do të zgjedhin produktet më të lira të importit, edhe nëse janë me cilësi më të ulët.
Shoqatat bujqësore paralajmërojnë se bllokadat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre.







