Ballina Rajoni Hyjnë në fuqi rregullat e reja të shërbimit ushtarak në Greqi, trajnim...

Hyjnë në fuqi rregullat e reja të shërbimit ushtarak në Greqi, trajnim modern dhe kushte të përmirësuara

86
0

Nga sot ka hyrë në fuqi modeli i ri i shërbimit ushtarak në Greqi, me rekrutët e parë të vitit 2026 që u paraqiten në njësitë ushtarake për tre ditë në vijim.

Reforma është pjesë e planit “Axhenda 2030” dhe synon përshtatjen e Forcave të Armatosura me kërkesat e reja të sigurisë dhe zhvillimet teknologjike.

Sipas modelit të ri , trajnimi bazë zgjat tashmë 10 javë dhe zhvillohet në forcat e këmbësorisë, me theks në stërvitjen praktike. Programi përfshin më shumë qitje ditën dhe natën, ushtrime taktike në terren, marshime dhe trajnim në aftësi të reja, si ndihma e parë, mbrojtja nga zjarri dhe përdorimi i sistemeve me dronë.

Pas fazës bazë dhe trajnimit të specializuar, shumica e rekrutëve vendosen në njësi operative, kryesisht në zonat kufitare dhe në ishujt e Egjeut Lindor.

Ndryshime të rëndësishme ka edhe në aspektin ekonomik dhe të kushteve të shërbimit. Kompensimi mujor rritet në 100 euro për shërbimin në zonat kufitare dhe në 50 euro për pjesën e brendshme të vendit, ndërsa është përmirësuar edhe cilësia dhe sasia e ushqimit sipas standardeve të reja ushqimore.

Vendosjet dhe transferimet do të bëhen me sistem pikëzimi, bazuar në aftësitë, kualifikimet dhe preferencat e çdo ushtari. Rekrutët do të paraqiten tashmë në 13 Qendra Trajnimi në të gjithë vendin.

Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak do të jetë 12 nga 9 muaj që ishte më parë, me përjashtim të atyre që paraqiten si të parakohshëm ose janë të vetmit djem në familje, si dhe të atyre që përzgjidhen ose zgjedhin të shërbejnë në Thrakë, në ishujt e Egjeut Lindor, në ushtrinë e Qipros, apo në Gardën Presidenciale, të cilët do të shërbejnë për 9 muaj.

Deri në mesin e prillit pritet të publikohet thirrja për programin pilot të shërbimit vullnetar ushtarak edhe për vajza të moshës 20–26 vjeç, ndërsa vullnetaret e para do të paraqiten në fund të qershorit për një shërbim 12-mujor.

Faza fillestare do të zbatohet në Lamia me deri në 200 pjesëmarrëse dhe shoqërohet me stimuj të rëndësishëm, si njohja e shërbimit si përvojë pune, pikë shtesë në konkurset shtetërore dhe mundësi për karrierë të mëtejshme në Forcat e Armatosura.

Sipas vlerësimeve, modeli i ri synon një ushtri më të trajnuar, më funksionale dhe më të lidhur me nevojat reale të sigurisë, në një periudhë me sfida të reja në rajon.