Dy adoleshentë 16-vjeçarë humbën jetën tragjikisht pasi u goditën nga një tren në Cheshire, ndërsa njëri prej tyre po përpiqej të shpëtonte mikun e tij.
Viktimat, Joshua Myers dhe Jordan Everett, vdiqën në aksidentin tragjik që ndodhi më 3 korrik të vitit të kaluar, ndërsa hetimi zbuloi se Joshua ishte liruar me kusht nga policia pas një akuze për ngacmim seksual nga një vajzë adoleshente dhe sipas dëshmive, ai u kishte thënë miqve se donte t’i jepte fund jetës së tij.
Natën e ngjarjes, 16-vjeçari i cili kishte konsumuar alkool, u ngjit mbi një gardh dhe u hodh duke përfunduar në shinat e trenit, duke bërtitur se donte të vriste veten.
Shoku i tij, Jordan, e ndoqi menjëherë dhe i bërtiti që të largohej nga shinat, por sipas dëshmive ai u përpoq ta shtynte dhe më pas e ‘sulmoi’.
Megjithatë, një tren i kompanisë Avanti West Coast, që po udhëtonte me rreth 180 km/orë, doli nga një kthesë dhe i goditi të dy adoleshentët. Shoferi aktivizoi frenat e emergjencës sapo i pa në shina, por përplasja ndodhi brenda një çasti.
Për Jordanin u regjistrua vendimi i vdekjes aksidentale. Mjekja ligjore e cilësoi atë si hero për përpjekjen për të shpëtuar mikun e tij.
“E di që doje që ai të shpallej hero për atë që bëri. Epo, ai ishte një hero”, u shpreh mjekja ligjore.
Sipas gjykatës, adoleshenti kishte pasur vështirësi emocionale dhe konsumonte vazhdimisht alkool dhe substanca të ndryshme narkotike.







