Ballina Kronika Kavajë/ 38-vjeçari thyen arrestin shtëpiak dhe përplaset me policinë, efektivët hapin zjarr...

Kavajë/ 38-vjeçari thyen arrestin shtëpiak dhe përplaset me policinë, efektivët hapin zjarr dhe…

113
0

Një incident është regjistruar mbrëmjen e sotme në Golem, ku një 38-vjeçar që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” është konstatuar nga Policia duke lëvizur i lirë në rrugë dhe më pas ka kundërshtuar me forcë efektivët.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 19:10, Patrulla e Përgjithshme e Postës së Policisë Golem, së bashku me Ndihmësspecialistin e zonës, gjatë patrullimit në territor kanë konstatuar shtetasin A. B., 38 vjeç, i cili ndodhej në rrugë i shoqëruar me persona të tjerë. Ai njihej nga Policia si person me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjatë verifikimit, punonjësit e Policisë i kanë kërkuar 38-vjeçarit shpjegime për thyerjen e masës së sigurisë dhe e kanë njoftuar se do të shoqërohej në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme.

Në këto rrethana, shtetasi A. B., së bashku me kunatin e tij, A. Sh., 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga familjarë të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.

Për të neutralizuar situatën dhe për të shpërndarë turmën, Ndihmësspecialisti i Postës së Policisë Golem ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, pistoletë.

Në ndihmë të efektivëve kanë mbërritur edhe shërbime të tjera policore, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin e personave të përfshirë në kundërshtimin e veprimeve të Policisë. Gjithashtu, në Komisariat është shoqëruar edhe 38-vjeçari që kishte thyer masën e sigurisë.

Veprimet hetimore për rastin po kryhen nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Për ngjarjen është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila pritet të verifikojë procedurat e ndjekura gjatë ndërhyrjes.