Në Galerinë e Fakultetit të Arteve u hap ekspozita ndërkombëtare e fotografisë “Selaniku në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20: Jeta shoqërore dhe kulturore, me pjesëmarrjen e profesorëve, studentëve, artdashësve dhe përfaqësuesve diplomatikë.
E organizuar nga Fakulteti i Arteve i Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Zyrën Greke në Kosovë, ekspozita sjell imazhe autentike që pasqyrojnë zhvillimin urban, jetën e përditshme dhe bashkëjetesën kulturore në Selanik të asaj kohe.
Galeria e Fakultetit të Arteve në Prishtinë ka hapur dyert për një udhëtim në kohë, përmes fotografive që dokumentojnë Selanikun e fund-shekullit XIX dhe fillim-shekullit XX. Ekspozita ndërkombëtare, e organizuar në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Greke, synon të sjellë më pranë publikut një periudhë të rëndësishme historike dhe të forcojë dialogun kulturor mes dy vendeve.
Ambasadorja e Zyrës Ndërlidhëse Greke, Heleni Vokali, e cilësoi këtë aktivitet si një moment të rëndësishëm bashkëpunimi.
“Nuk është vetëm një nder dhe një kënaqësi për ne, por edhe një inkurajim i madh për Zyrën Ndërlidhëse Helenike. Unë kam lindur dhe jam rritur në Selanik dhe ndihem e nderuar dhe e lumtur sa herë që, duke ecur në rrugët e qytetit tim, takoj miq nga Kosova ? gjë që ndodh shumë shpesh. Pas liberalizimit të vizave për qëndrime afatshkurtra, shumë qytetarë të Kosovës po vizitojnë Greqinë dhe një numër i madh prej tyre zgjedhin Selanikun, madje pothuajse çdo fundjavë. Pavarësisht se zëvendësja ime më këshilloi të mos e përmendja këtë, është kënaqësi të theksoj se Selaniku është bërë një destinacion i dashur për ta”, tha Vokali.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik me universitetet greke dhe mundësitë për zgjerimin e tij.
“Është gjithmonë kënaqësi të jesh pjesë e ekspozitave në Fakultetin e Arteve, një njësi akademike me rëndësi të veçantë në universitetin tonë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyer me universitetet dhe diplomatët grekë në Kosovë. Po punojmë për marrëveshje të reja me universitetet në Selanik, për rinovimin e atyre ekzistuese dhe për memorandume të reja mirëkuptimi në kuadër të programeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, synojmë të forcojmë shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve për të thelluar bashkëpunimin akademik”, tha Hajrullahu.
Ekspozita paraqet Selanikun si një qytet me histori të pasur shumëkulturore, në një periudhë transformimesh të thella politike dhe shoqërore.
“E dua këtë qytet. Dhe dua t’ju tregoj disa fjalë për historinë e këtij qyteti. Selaniku, në fund të shekullit të 19të dhe fillim të shekullit të 20të, karakterizohet si një periudhë ndryshimesh të thella, konfliktesh intensive, por edhe bashkëjetese krijuese. Ishte një nga qytetet më të rëndësishme dhe shumëkulturore të periudhës osmane”, tha Stavroula Mavrogeni, kuratore e ekspozitës.
Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë jetën urbane, zhvillimin ekonomik dhe bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme në Selanik, duke rikthyer në vëmendje një trashëgimi të përbashkët historike. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në ditët në vijim në ambientet e Galerisë së Fakultetit të Arteve.







