SPAK sekuestron dosjen e tenderit për Portin e Ri Tregtar në Porto Romano. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Posaçme, të cilat thanë se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mbërritën në zyrat e Autoritetit Portual dhe morën të gjithë dokumentacionin. SPAK është duke hetuar për abuzime apo paracaktim të tenderit me vlerë 400 mln euro.
Procedura e tenderit për Portin e Ri Tregtar në Porto Romano u shpall në dhjetor 2024. Pesë operatorë ndërkombëtarë paraqitën ofertat e tyre, por në fazën e parakualifikimit të tenderit u skualifikuan disa nga konsorciumet më të mëdha europiane. Mes tyre Jan De Nul, grupi Vinci, si dhe konsorciumi Van Oord, kjo e fundit kompani hollandeze e njohur për ndërtimin e porteve.
Më 14 mars 2025, Jan De Nul dhe grupi Vinci paraqitën ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik, por pas shqyrtimit ankesa u rrëzua dhe u vijua me procedurën e mëtejshme. Aktualisht në garë është vetëm Archirodon. Filiali qipriot duhet që brenda 9 marsit të paraqesë ofertën financiare.
Projekti për Portin e Ri Tregtar në Porto Romano financohet nga buxheti i shtetit dhe kap vlerën e 400 milionë eurove.







