Ballina Politika Këlliçi tregon skenarin tronditës të shantazhit: Nga llogaritë offshore tek prodhimi i...

Këlliçi tregon skenarin tronditës të shantazhit: Nga llogaritë offshore tek prodhimi i bitcoin, Balluku ka provat që mbajnë Ramën të lidhur

148
0

Ndryshimet e bujshme në kabinetin qeveritar, të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama, nuk janë një demonstrim force, por një akt dorëzimi.

Kështu shprehet në analizën e tij deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili në një intervistë në SYRI TV, deklaron se kryeministri tashmë është “peng” i Belinda Ballukut, e cila edhe pse u shkarkua formalisht si zëvendëskryeministre, në fakt ruan komandën e plotë.

Sipas Këlliçit, kryeministri Rama është nën presionin e një shantazhi nga Balluku, e cila dyshohet se disponon prova komprometuese ndaj tij. Deputeti demokrat listoi një sërë akuzash të rënda, duke përfshirë ekzistencën e llogarive offshore, prodhimin e paligjshëm të kriptomonedhës Bitcoin duke shfrytëzuar burimet energjetike shtetërore, si dhe pasuri të fshehura në kriptomonedha nga kryeministri dhe rrethi i tij i ngushtë.

“Edi Rama sot është i marrë peng nga Belinda Balluku,” u shpreh Këlliçi gjatë një interviste televizive, duke shtuar se lëvizjet në qeveri janë dëshmi e këtij raporti të ri pushteti.

Ai argumenton se emërimet e reja shërbejnë për të çimentuar kontrollin e Ballukut dhe për të eliminuar rivalët e saj politikë. Në analizën e tij, Këlliçi thekson se largimi i Piro Vengut u bë për të parandaluar një arrestim të mundshëm lidhur me aferën e Portit të Porto Romanos, ndërsa zëvendësuesi i tij është një figurë “anonime” pa asnjë rekord publik apo politik.

Po ashtu, shkarkimi i Elisa Spiropalit nga posti i Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin shihet si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj një rivaleje të brendshme të Ballukut.

Deputeti i PD-së e cilësoi Spiropalin si “ministren më jetëshkurtër të jashtme të Shqipërisë”, duke lënë të kuptohet se largimi i saj erdhi pas një vizite në SHBA, ku ajo dyshohet se ka qenë e vetmja zyrtare e PS-së që ka mundur të mbajë takime të nivelit të lartë, ndryshe nga vetë kryeministri.

Në analizën e tij, Këlliçi thotë se Partia Socialiste ka degraduar në një “organizatë kriminale” dhe se vendi nuk ka më një kryeministër funksional, por një “individ të marrë peng në zyrën e tij, i cili thjesht po blen kohë”.

Këlliçi: Sepse personat që në fakt janë vendosur për të zëvendësuar si në rastin e Ballukut apo në rastin e Piro Vengut, për të cilin informacionet e para flasin për një skenar të Edi Ramës për të parandaluar arrestimin në detyrë të një ministri tjetër, për shkak edhe të asaj që ju keni parë sot sekuestrimit të projektit edhe të dosjes dhe të praktikës së portit të Porto Romanos, ku është denoncuar edhe në median tuaj, ndaj dhe janë sulmet halucinante që vijnë ndaj Syrit TV, që kanë ardhur dhe dje nga kryeministri, me kërcënime të drejt- drejtpërdrejta dhe me thirrje ndaj prokurorisë për të goditur televizionin tuaj. Vijnë për shkak se jeni i vetmi televizion që bëni transparencë për aferat korruptive dhe që transmetoni realitetin në Shqipëri, dhe jeni i vetmi televizion që keni transmetuar në fakt përmes dëshmisë së , ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, edhe përfshirjen e vendeve jo partnere në këtë rast, në rastin e portit të Porto Romanos.

Emisioni PLUG e ka saktësuar, e ka detajuar dhe jeni të vetmit që i keni dhënë zë kësaj çështjeje dhe për hir të vërtetës, kjo është një çështje që prek sigurinë kombëtare jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë aleancës së NATO-s, dhe është një çështje e cila ka pas interesa të qytetarëve rus, pra të vendeve, përfaqësuesve të vendeve jo partnere. Dhe për këtë arsye, me sa duket kurbani i parë u bë Piro Vengu. Ndërkohë që në ministrinë e lënë bosh tashmë nga Piro Vengu shkon një anonim, nuk e mbaj mend as emrin se nuk ka asnjë rekord publik, nuk ka asnjë…

Jo nuk e mbaj mend, nuk e njoh, nuk është se kam diçka me emrin apo me mbiemrin, nuk ka lidhje. Pra nuk dua ta në atë moment, thjesht nuk e njoh, nuk e njeh askush. Nuk ka asnjë rekord publik, nuk ka asnjë…

Nuk ka asnjë rekord, le të themi, karriere brenda Partisë Socialiste, apo brenda strukturave të të majtës apo brenda administratës publike. Kështu që, thënë këtë, duke parë emrat që kanë pasuar, qoftë me të besuarin e Belinda Ballukut në ministrinë e infrastrukturës, drejtorin aktual të OSHEE-së, qoftë me ministrin e mbrojtjes, apo qoftë me goditjen që i është bërë rivales më të madhe në, në PS për momentin, pas Erjon Veliajt, të Ballukut, që ka qenë dhe vijon të mbetet Elisa Spiropali, e cila për habinë time dhe në një reagim të ditës së sotme nuk kishte patur në fakt kurajon të thoshte të vërtetën, pra ishte sjellë si një fëmijë inatçor me reagimin që kishte patur, ndërkohë që do duhej të bënte transparente dhe do duhej të bënte të qartë për gjithë opinionin publik se si ka mundësi që ajo është ministrja më jetëshkurtër e jashtme e Shqipërisë. Pra, ose kjo ministre ka bërë diçka gabim, ose këtu ka një goditje politike ndaj saj për shkak të qasjes që ajo mund të ketë patur ndaj…

Unë nuk e di çfarë duhet t’ju bësh më këtyre që të kuptohen drejtpërdrejtë dhe mos nënkuptohen më, pra, edhe t’i përkëdhelësh politikisht, edhe t’i marrësh t’i trajtosh si fëmijë, edhe t’i marrësh t’i flakësh.

Por thelbi është ky, pra, Edi Rama sot është i marrë peng nga Belinda Balluku. Edi Rama, përveç se ka emëruar të besuarit e Ballukut në pozicionet e lëna vakante, sigurisht ka plotësuar dhe tekat e saj për të shkarkuar rivalët e saj dhe për t’i plotësuar dhe tekat politike. Pra, shkarkimi i Elisa Spiropalit tashmë është publik dhe dihet arsyeja. Arsyeja nuk është performanca e saj, për hir të vërtetës. Madje, mund t’ju them tjetrën, që ajo para dy javësh ka qenë në SHBA dhe mund të jetë i vetmi zyrtar i PS-së që ka patur takime në SHBA dhe për këtë arsye me sa duket u hoq. Sepse ju keni parë dhe Edi Ramën që nuk e pret as roja te porta e Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk mundi dot ishte i vetmi përfaqësues në bordin e paqes që nuk pati një takim me asnjë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, siç pati Vjosa Osmani apo liderë të ndryshëm edhe të vendeve shumë të vogla, por Edi Rama sigurisht nuk mund të afrohet në departamentin e shtetit.

Kështu që, thënë këtë, këto janë të gjitha ato arsye që ju keni parë dje një rishufle të atij kabineti që tashmë do të ketë zëvendëskryeministre Albana Koçiun, ministrin ndoshta më të dështuar të 34 vite pluralizëm në Shqipëri, ministrin e brendshëm. Nuk mbahet mend për asgjë. Pra, rënia dhe degradimi i Partisë Socialiste, apo i organizatës kriminale siç quhet tashmë rëndom në zhargonin popullor, Rilindja, se ajo nuk është më një forcë politike, por është një grup i strukturuar kriminal, ku të gjithë anëtarët e saj janë sot me dosje në Prokurorinë e Posaçme për korrupsion, vjen për shkak të degradimit tërësisht politik të kësaj force, dhe të vrasjes së sistemit të karrierës brenda kësaj force, të vrasjes së meritokracisë dhe të ngritjes së një sistemi thellësisht dhe kapilar korruptiv, të cilin e mban në këmbë Edi Rama.

Burime informale, për t’u kthyer te Rama dhe Balluku, flasin dhe për një skenar tjetër, i cili është denoncuar prej javësh në media, flasim për skenarin e pengmarrjes përmes provave dhe shantazhit të kryeministrit nga ish-zëvendëskryeministrja, nga Belinda Balluku. Qoftë me llogaritë e tij offshore, qoftë me historikun e tij dhe të rrethit të tij të ngushtë të prodhimit të Bitcoin-it, të përdorimit edhe të kaskadave të ndryshme të vendit tonë për të prodhuar Bitcoin, të dhëna që i disponon Balluku për shkak se ka drejtuar Ministrinë e Energjisë, qoftë me informacione që vijnë mbi të dhëna të ndryshme që kryeministri dhe rrethi i tij i ngushtë familjar disponojnë pasuri të jashtëzakonshme në kriptomonedha, dhe sigurisht të gjitha këto informacione para se t’i kemi ne në rrugë informale dhe përmes holleve të politikës dhe korridoreve të politikës, i ka patur njeriu më i besuar i Edi Ramës dhe personi që ia ka facilituar në një farë mënyre të gjitha këto afera. Kështu që thënë këtë, sot ne nuk kemi më një kryeministër, por kemi një individ të marrë peng në zyrën e tij që thjesht po blen kohë dhe po blen vetëm oksigjen artificial.