Ballina Politika “Ndryshoi qeverinë nga presioni…”/ Ermal Hasimja rendit 11 arsye: Ja pse Rama...

“Ndryshoi qeverinë nga presioni…”/ Ermal Hasimja rendit 11 arsye: Ja pse Rama nuk është aq i fortë sa duket!

80
0

Politologu dhe analisti i njohur, Ermal Hasimja ka reaguar pas ndryshimeve të fundit në qeveri të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama, duke i cilësuar ato si shenjë dobësie politike dhe jo si demonstrim force, pavarësisht shumicës prej 83 mandatesh në Kuvend. Sipas tij, ideja se Rama është i fortë për shkak të numrave në Parlament është një “iluzion”, pasi zhvillimet e fundit tregojnë se ai ka vepruar nën trysni të shumëfishtë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Politologu rendit disa arsye që, sipas tij, dëshmojnë këtë situatë. Ai thekson se kryeministri nuk përballoi trysninë ndërkombëtare dhe u detyrua të ndryshojë gjysmën e qeverisë vetëm gjashtë muaj pas formimit të saj. Po ashtu, sipas Hasimjes, Rama nuk arriti t’i rezistojë presionit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke promovuar ish-drejtorë të lidhur me të në këmbim të largimit të saj.

Hasimja shton se ndryshimet përfshinë edhe largimin e Elisa Spiropali, çka sipas tij lidhet me perceptimin për rritje të profilit të saj politik dhe balancat e brendshme në mazhorancë.

Në analizën e tij, ai përmend gjithashtu raportin e kryeministrit me figura të afërta si Endri Fuga dhe Engjëll Agaçi, duke sugjeruar se disa prej bashkëpunëtorëve të hershëm nuk janë më në të njëjtën pozicion apo ndikim. Sipas analistit, një pjesë e bashkëpunëtorëve të tjerë ndodhen nën hetim ose në pritje të proceseve nga SPAK, çka shton presionin politik mbi qeverinë.

Postimi

Ideja që Rama është i fortë se ka 83 mandate është iluzion. Ja arsyet:
1. Nuk përballoi trysninë ndërkombëtare dhe u detyrua të ndryshojë gjysmën e qeverisë pas 6 muajsh.
2. Nuk përballoi dot trysninë e Ballukut dhe u detyrua të promovojë ish-drejtorët e saj në këmbim të largimit të saj.
3. Nuk përballoi dot trysninë e Ballukut për të hequr Spiropalin, ose perceptimin e çfarëdo rritje të imazhit të Spiropalit.
4. Nuk shkëputet dot nga marrëdhënia ku ka ngecur me botën e errët. Votat e marra nga krimi i organizuar tashmë i llogariten si dëshmi penaliteti e mbushur plot.
5. Disa figura të afërta si Fuga ose Agaçi e kanë braktisur ose thjesht nuk i ka më në dispozicion.
6. Plot bashkëpunëtorë të tjerë i ka në listën e pritjes së SPAK-ut.
7. Për herë të parë ka një frymë qëndrese informale brenda partisë.
8. Reagimi i ashpër i policisë ndaj protestës së opozitës tregon frikë dhe nervozizëm.
9. Nuk përballon protestën e Adriatik Lapajt në nivel më të lartë se ai i karriges. Kur Lapaj vendos qese plasmasi mbi kokë policia vjen me vrap.
10. Shembja u rrugëve, problemet me sistemet digjitale, frika e administratës për të firmosur ka dërrmuar imazhin e funksionalitetit të qeverisë.
11. Tezat e mashave mediatike të tipit “Gjermania është vend i korruptuar” kanë diskredituar ata zëra që e mbrojnë.

Me lëvizjet e fundit Rama nuk ka ndryshuar asgjë, thjesht është përpjekur të rivendosë një ekuilibër të ri mes halleve që ka. Njësoj si ai që vuan nga shiatiku dhe lëviz vazhdimisht për të gjetur një pozicion ku i dhemb më pak… për disa minuta.