Ballina Ekonomia Nis rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5% në Durrës, procesi synon...

Nis rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5% në Durrës, procesi synon stimulimin e tregut imobiliar

87
0

Nga kjo javë ka nisur procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në gjithë Shqipërinë, përfshirë Durrësin, me një rritje prej 5% të vlerës fiskale. Ky proces do të jetë në fuqi deri në fund të vitit dhe synon t’i japë një shtysë tregut imobiliar, si dhe t’u mundësojë qytetarëve të përditësojnë vlerën e pronës së tyre.

Sipas agjentëve imobiliarë, ky rivlerësim ishte shumëpritur, veçanërisht nga qytetarët që planifikojnë të shesin pronat e tyre, pasi lehtësimet fiskale u ulin kostot.

“Nga kjo javë ka nisur procesi i rivlerësimit… Rivlerësimi është 5% në këto momente, ndërkohë që më parë taksa e fitimit të shtuar ishte 15%. Qytetarët që sot duan të shesin kanë më shumë interes”, tha Florian Tahiri, agjent imobiliar.

Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se ky proces favorizon kryesisht pronarët dhe nuk ndikon në uljen e çmimeve për blerësit, të cilët vazhdojnë të përballen me vlera të larta dhe përballueshmëri të limituar.

“Ligji i ri i rivlerësimit ka sjellë një lehtësim fiskal, por vetëm për pronarët… Nëse bëjmë një krahasim të pagës mesatare dhe numrit mesatar të anëtarëve në familje, duhen minimumi 15 vite kursime për të blerë një apartament”, theksoi ekonomistja Edlira Jakova.

Tregu imobiliar në Durrës vazhdon të ndikojë nga pritshmëritë për investime të mëdha infrastrukturore, por sfida kryesore mbetet përballueshmëria e banesave për qytetarët vendas.