Nga Krisafia Zeqo
Memorie.al / Para disa vitesh Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi promovimin e librit të autorit Engjell Angoni, me titull “Selman Riza Gjuhëtar dhe Atdhetar i Shquar”. Meqenëse për shumë vjet kam qenë e punësuar në Institutin Gjuhë-Letërsi dhe pikërisht në sektorët që i drejtonin profesorët Eqrem Çabej, Mahir Demo dhe Selman Riza, me ftesë të familjes Riza, shkova dhe unë të marr pjesë. Mbledhja kryesohej nga Kryetari i Akademisë Dr. Ylli Popa, Prof. Shaban Demiri dhe të tjerë. Përfaqësuesi i Akademisë mbasi hapi mbledhjen falenderoi pjesëmarrësit dhe i dha fjalën Prof. Shaban Demirit dhe më pas gjithë referuesve të tjerë sipas profileve. Në referatet e tyre u përqendruan vetëm për punimet e të lartpërmendurit, në lidhje me shkencën që nuk ish asnjë e të njëmijta të punimeve që ruhen në arkivin familjar, në atë të Institutit përkatës dhe kushedi sa të tjera të zhdukura.
Kurse si atdhetar të shquar që saktësohet në titull, nuk u tha asgjë. Po a do të shohin ndonjëherë dritë këto punime aq të rëndësishme për vendin tonë?! Për këtë e kanë fjalën shkrimtarët dhe gjuhëtarët, institucionet përkatëse dhe ish-nxënësit e të lartpërmendurve, që sot gëzojnë tituj shkencore që Selman Riza dhe shumë të tjerë nuk i patën kurrë. Prandaj, vendosa t’i jap medias aq sa di, për veprimtarinë atdhetare të birit të Kosovës kreshnike, Selman Rizës.
Së pari, dua të vë në dijeni lexuesit me pak rreshta për zonjën Sabire, bashkëshorte e Selmanit, besë dhe bijë e atyre burrave të hershëm që për gjatë gjithë shekullit që përcollën gjithë jetën e tyre ja kushtuan kauzës së çlirimit kombëtar. Kurse zonja Sabire vitet më të shumta të jetës së saj bashkëshortore, i kaloi në vuajtje të vazhdueshme. Sabireja me trimëri dhe kurajo i përballoi të gjitha situatat i qëndroi besnike idealit të bashkëshortit të saj gjithë jetën. Sa nëna dhe motra kanë kaluar situata të tilla, por nuk kujtohen fare!
Selman Riza ish vetëm 12 vjeç kur u largua nga familja dhe erdhi në këmbë në Korçë. Ai nuk mund të duronte vuajtje të hershme dhe të vazhdueshme të bashkë-atdhetarëve të tij në Kosovë, nga shtypja dhe shfrytëzimi i egër serb. Nuk mund të harronte si ja rrahën babanë dhe e poshtëruan në prezencë të gruas dhe fëmijëve.
Në Korçë qytet me tradita të shquara kulturore dhe atdhetare, pasi mbaroi shkollën fillore me gjashtë vjet, i mori vetëm me tre vjet, vazhdoi liceun francez që ish me nëntë vjet e përfundoi me gjashtë.
Me interesimin e drejtuesve të Liceut të Korçës, si student i shkëlqyeshëm, Selman Riza dërgohet për studime në Tuluz të Francës, në tre vjet, 1932-1935, mbaron dy fakultete shkëlqyeshëm dhe me t’u kthyer në Shqipëri, kryeministri Mehdi Frashëri i propozon për një vend në kryeministri, por Selmani me dekret të Mbretit Zog, emërohet profesor në Liceun Francez në Korçë.
Selman Riza edhe si student dhe kur erdhi profesor, asnjëherë nuk e ndali aktivitetin e tij si dijetar dhe atdhetar, jo vetëm me studentët, por edhe jashtë mureve të liceut.
Shumë shpejt u miqësua me atdhetarë të shquar korçarë, si me Mihal Gramenon, publicisti i shquar, shkrimtar, një nga veprimtarët më me zë i lëvizjes atdhetare e demokratike shqiptare, që shkriu gjithë jetën e tij për mëmëdhenë. Në librarinë “Dhori Koti”, takoheshin vazhdimisht dhe shpesh Mihal Grameno shkonte të takonte Selman Rizën dhe atdhetarë të tjerë të moshave të ndryshme.
Bashkëpunëtorë i ngushtë me profesor Kostaq Cipo, mjeshtër i shquar i letërsisë shqiptare. Me poetin e madh lirik, Lasgush Poradecin, me Mitrush Kutelin, të cilin e çmonte shumë, jo vetëm si ekonomist të zotin, si shkrimtar, publicist, përkthyes të shquar, por edhe si njeri të ndershëm dhe me karakter të fortë, që gjithmonë i shpalosi hapur dhe me guxim, pikëpamjet e tij demokratike, që vuajti dhe u burgos si shumë të tjerë nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha.
Pushtimi i atdheut tonë nga fashizmi italian, ish një ngjarje e hidhur si për gjithë popullin shqiptar dhe për Selman Rizën. Vazhdimisht në ato ditë të zymta të prillit 1939, ai merrte kontakt me shokët brenda dhe jashtë shkollës, çfarë duhej bërë, për shpëtimin e atdheut. I pari bashkë me studentët dhe profesorët e liceut, Selmani në krye mbushën rrugët e qytetit drejt kazermave, duke hedhur parulla si; “duam armë”, “poshtë Italia fashiste”, “rroftë Shqipëria”, etj.
Në bashkinë e Korçës vazhdonin mbledhjet gjithë natën me nismën e shoqërisë “Puna” e Korçës, me synim që të merrej pushteti nga ana e përfaqësuesve të popullit dhe të niseshin vullnetarë për në Durrës e, të organizohej qëndresa e armatosur kundër pushtuesit, kur ky do të marshonte drejt Korçës, shkonte dhe Selman Riza dhe shumë nacionalistë të tjerë, Fazli Frashëri, Stavri Skëndi, Loni Kristo, Llazar Fundo dhe shumë intelektualë të tjerë.
Në mbledhjen që vazhdoi gjithë natën në pallatin e bashkisë së Korçës, u formua Komiteti i “Shpëtimit Publik” me kryetar Fazlli Frashëri, sekretar Selman Riza dhe Masar Shehu, anëtarë nga shoqëria “Puna”, Stefo Grabocka, Llambi Dishnica, Stavri Skëndi etj.
Selman Rizës ju ngarkua detyra për punët e jashtme, i cili përgatiti një numër telegramesh drejtuar shteteve të huaja, me qëllim që të sensibilizohej opinioni publik ndërkombëtar, për t’u prerë rrugën kërcënimeve dhe përgatitjeve për agresion të Italisë fashiste ndaj vendit tonë.
Protestat nuk reshtën ditë me radhë, Selman Riza në radhët e para, vargu i turmës nga qendra e qytetit deri në kazermat, por armiku i pajisur me armatimet më të fundit, ja arritën qëllimit. Një tjetër veprimtari do të kryente Selman Riza.
Nga Ministri i Arsimit, ju kërkua që të zëvendësonte profesorët francezë, sepse me pushtimin e vendit ata u larguan. Selman Riza u përgjigj prerë dhe me vendosmëri: “Unë nuk bëj një veprim të tillë, jo se nuk mundem, por sepse profesorët francezë u zbuan padrejtësisht”. Në kujtim të përvjetorit të pavarësisë, 28 nëntor 1939, shpërthen demonstrata e madhe, një nga veprimtaritë e para të fuqishme kundër pushtuesit.
Selman Riza bashkë me organizatorët e “Komitetit të Shpëtimit”, ku u bashkua gjithë populli, gra, të rinj e të reja, priftërinj, hoxhallarë deri dhe hamejtë me samar në kurriz. Kjo demonstratë tronditi pushtuesit dhe të informuar për organizatorët me në krye Selman Rizën, me datën 6.2.1940, karabinierët arrestojnë Selman Rizën me gjithë profesorët, intelektualë dhe shumë veprimtarë të tjerë dhe i nisin për në Durrës e, prej andej në Ventotene.
Këtu kishte të internuar nga gjithë Shqipëria dhe shumë antifashistë italianë. Qysh nga ky internim, Selman Rizës nuk ju ndanë gjithë jetës vuajtjet e internimet. Këtij birit të Kosovës kreshnike, që i rezistoi haptas pushtimit fashist të vendit, punoi dhe luftoi me të gjitha forcat për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, si dhe për lirinë dhe demokratizimin e jetës së vendit tonë, herë në Kosovë, herë në atdheun mëmë.
Pikërisht për këto veprimtari u përpoq gjithë jetën me internime dhe burgime, prej regjimeve me totalitarë, regjimit fashist, atij komunist me në krye Enver Hoxhën dhe regjimit shovinist i Josif Broz Titos.
Por të gjitha përpjekjet e tij dhe aftësitë, punën që nuk pushoi asnjëherë, ndonëse në kondita të vështira, si për shkencën ashtu dhe për atdhedashurinë nëpër birucat e burgjeve dhe kampet e internimeve, është shkruar shumë pak.
Për punimet voluminoze të Selman Rizës, ka shumë për të shkruar, pasi Selmani ka qenë dhe një përkthyes i përsosur, ai zotëronte 12 gjuhë të huaja, gjë e cila çuditi profesorët e dy fakulteteve në Francë. Në muajin e fundit të vitit 1941, Selman Riza lirohet nga internimi në Ventotene.
Ministri i Arsimit në atë vit fton zyrtarisht Selman Rizën në takim dhe i premton për disa vende me rëndësi në dikasterin e tij dhe se do t’i paguante dhe gjithë kohën që ka qenë i internuar.
Selmani nuk mund të gënjehej nga të joshurat e armiqve, prandaj e hodhi poshtë këtë propozim, duke ju përgjigjur me sarkazëm se; “rrogat i kam marrë në Ventotene të Italisë” dhe për të tjerat pyetjet provokuese, nga ana e Ministrit, Selman Riza tregoi vendosmërinë dhe guximin e tij ndaj regjimit fashist. Në këto rrethana dhe i shqetësuar sidomos për çështjen e Kosovës, Selmani shpërngulet familjarisht dhe vendoset në Prishtinë./ Memorie.al







