Ballina Kronika Protesta e opozitës, Policia arreston 4 qytetarë

Protesta e opozitës, Policia arreston 4 qytetarë

59
0

Të paktën 4 persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pas protestës së opozitës mbrëmjen e së shtunës.

Sipas policisë, ata kanë përdorur molotovë dhe mjete piroteknike, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Protesta e djeshme u shoqërua me momente tensioni mes mbështetësve dhe policisë. Protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës dhe ndaluan në disa institucione.

Protesta e djeshme u shoqërua me momente tensioni, ndërsa protestuesit marshuan në drejtimin e disa institucioneve, ku nuk shpëtoi nga molotovët edhe vila e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Po ashtu gjatë marshimit pati hedhje të molotovëve dhe fishekzjarrëve, të cilave policia iu përgjigj me ujë me presion e gaz lotsjellës, teksa pati edhe protestues të lënduar. Mes tyre u lëndua edhe deputeti Luçiano Boçi./

Njoftimi

DVP Tiranë

Në lidhje me protestën e organizuar mesditën e djeshme, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, thirrur nga subjekti politik Partia Demokratike, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale, arrestoi shtetasit:

L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin persona brenda, shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Më tej, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin K. B., deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.