Është mbyllur edicioni i 76‑të i Festival di Sanremo 2026, duke kulmuar me një finale të gjatë dhe emocionuese në skenën e Teatrit Ariston. Tridhjetë artistë u rikthyen në skenë në natën përmbyllëse, në një maratonë muzikore që përfundoi me shpalljen e fituesve dhe ndarjen e çmimeve tradicionale të festivalit.
Gaztearja e Syri TV, Alba Kepi, raporton se kantautori shqiptar Ermal Meta nuk mundi të ngjitej në podiumin e tre vendeve të para por mori një vlerësim të rëndësishëm për mesazhin social që shell me muzikęn e tij.
Fitues i Sanremo 2026 u shpall Sal Da Vinci me këngën “Per sempre sì”, duke siguruar 22,2% të votave. Gara ishte jashtëzakonisht e ngushtë, pasi në vendin e dytë u rendit Sayf me “Tu mi piaci tanto”, me 21,9% të votave.
Vendin e tretë e zuri Ditonellapiaga me “Che fastidio!” (20,6%), ndërsa në vendin e katërt u rendit Arisa me “Magica favola” (18,9%). Në vendin e pestë u klasifikuan Fedez dhe Marco Masini me “Male necessario”, duke marrë 16,5% të votave.
Përveç renditjes përfundimtare, festivali ndau edhe çmimet tradicionale: Çmimi i Kritikës “Mia Martini” iu akordua Ditonellapiaga, për vlerat artistike dhe cilësinë tekstuale të këngës së saj. Çmimi i Sala Stampa “Lucio Dalla” u fitua nga Sayf, si artisti më i vlerësuar nga gazetarët e akredituar. Çmimi i Orkestrës së Sanremos iu dha Arisa, për performancën dhe aranzhimin më të vlerësuar nga muzikanët e orkestrës.
Një moment i rëndësishëm i këtij edicioni ishte edhe çmimi “People & Planet Lab – Canzone Sostenibile”, i cili iu akordua kantautorit shqiptar Ermal Meta për këngën “Stella Stellina”. Ky vlerësim, i promovuar në kuadër të iniciativës së ASviS në bashkëpunim me RaiRafio dhe TIM, nderon krijimet muzikore që promovojnë mesazhe sociale dhe vlera të qëndrueshmërisë. Juria theksoi se kënga e Metës i jep zë më të pambrojturve dhe përcjell një mesazh universal paqeje, në përputhje me Objektivin 16 të Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara.
Sanremo 2026 u karakterizua nga një nivel i lartë artistik, konkurrencë e fortë dhe diferenca minimale në votim, duke e bërë finalen një nga më të debatueshmet e viteve të fundit. Përtej spektaklit, festivali konfirmoi rolin e tij si një platformë ku muzika, tradita dhe temat shoqërore bashkëjetojnë, duke e mbajtur Sanremon në qendër të vëmendjes së industrisë muzikore italiane dhe evropiane.







