Transfertat hyrëse nga jashtë vendit në llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve në Shqipëri shënuan rritje të mëtejshme vitin e kaluar.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, numri i transfertave nga jashtë në sektorin bankar shqiptar arriti në 8.85 milionë, në rritje me 9.7% krahasuar me vitin 2024.
Numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse ka shënuar nivelin më të lartë historik, ndërkohë që është rritur me pesë herë e gjysmë krahasuar me vitin 2020.
Megjithatë, ritmi i rritjes së transfertave hyrëse u ngadalësua ndjeshëm, krahasuar me rritjen prej gati 40% që ishte regjistruar në vitin 2024.
Rritja u ngadalësua, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Transfertat në llogaritë e bizneseve arritën në 8.27 milionë, me një rritje prej 9.4% krahasuar me vitin 2024. Ndërsa transfertat në llogaritë e individëve arritën në 586 mijë, në rritje me 13.3% krahasuar me një vit më parë.
Në total, sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të bizneseve dhe individëve arritën vlerën e 932 miliardë lekëve, në rritje me 19% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e transfertave u ngadalësua, megjithatë, edhe në vlerë, po të kemi parasysh se për vitin 2024 rritja kishte qenë pothuajse në masën 43%.
Vlera e transfertave nga jashtë, e raportuar në Lekë, në vitet e fundit është ndikuar edhe nga efekti negativ i kursit të këmbimit. Në mungesë të këtij efekti, rritja do të kishte qenë edhe më e lartë.
Megjithatë, vitin e kaluar forcimi i Lekut në raport me valutat e tjera dhe kryesisht me Euron u ngadalësua. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8%, nga 7.4% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2024 dhe 8.6% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2023.
Rritja e numrit dhe vlerës së transfertave hyrëse në vitet e fundit reflekton në një masë të madhe zhvillimin e sektorit të turizmit dhe rritjen e eksportit të shërbimeve në përgjithësi, por pjesërisht edhe rritjen e transfertave personale dhe remitancave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%.
Turizmi vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në bilancin e pagesave të vendit, madje, të paktën sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, norma e rritjes është përshpejtuar krahasuar me nivelet e vitit 2025.
Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2024, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.
Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin 2025, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë./monitor







