Ballina Ekonomia KLSH: 62% e rekomandimeve të lëna për Kadastrën nuk janë zbatuar

KLSH: 62% e rekomandimeve të lëna për Kadastrën nuk janë zbatuar

106
0

Zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nuk kanë zbatuar rekomandimet e KLSH sa u përket masave të kërkuara për përmirësimin e administrimit të pronës dhe procesit të legalizimeve. Sipas raportit të auditimit, shumica e rekomandimeve të dhëna nga KLSH në auditimet e mëparshme nuk janë zbatuar nga institucionet e audituara.

Auditimi përfshiu shtatë drejtoritë vendore të kadastrës: Tirana Jug, Tirana Veri, Tirana Rurale I, Tirana Rurale II, Kamëz–Vorë, Shkodër dhe Durrës.

Në total, nga auditimet e përputhshmërisë të kryera në këto institucione janë rekomanduar 359 masa për përmirësimin e procedurave administrative, forcimin e kontrollit institucional dhe respektimin e kuadrit ligjor që rregullon procesin e regjistrimit dhe legalizimit të pronave.

Nga analiza e auditimit rezulton se nga 309 rekomandime të verifikuara në kuadër të auditimit tematik, institucionet kanë pranuar për zbatim 303 prej tyre, ose rreth 98 për qind të totalit. Megjithatë, niveli real i zbatimit të këtyre rekomandimeve mbetet shumë i ulët. Sipas raportit, vetëm 66 rekomandime janë zbatuar plotësisht, që përfaqësojnë rreth 21.3 për qind të totalit. Një pjesë tjetër e rekomandimeve janë zbatuar pjesërisht ose janë ende në proces zbatimi, ndërsa 193 rekomandime rezultojnë të pazbatuara.

Kjo do të thotë se rreth 62.5 për qind e rekomandimeve të lëna nga KLSH për përmirësimin e funksionimit të drejtorive vendore të kadastrës nuk janë zbatuar, pavarësisht faktit se institucionet kanë deklaruar se i kanë pranuar ato.

Auditimi thekson se rekomandimet përfshijnë masa organizative, masa për përdorimin më efikas të fondeve publike, si dhe masa disiplinore ndaj punonjësve për shkeljet e konstatuara gjatë auditimeve të mëparshme. Megjithatë, niveli i zbatimit mbetet i ulët në pothuajse të gjitha kategoritë e rekomandimeve.

Raporti nënvizon se zbatimi i rekomandimeve të auditimit është një element thelbësor për përmirësimin e administrimit të pronës dhe për rritjen e transparencës në proceset e legalizimit dhe regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në këtë kuadër, KLSH ka rikërkuar nga institucionet e audituara marrjen e masave konkrete për zbatimin e rekomandimeve të mbetura pezull dhe për forcimin e kontrollit administrativ në drejtoritë vendore të kadastrës. /ekofin.al