Banorë të disa fshatrave të njësisë administrative Thumanë protestuan këtë të shtunë për herë të katërt radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë–Kashar, duke kërkuar ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonë.
Sipas banorëve, dëmtimi i rrugës së Gramzës është shkaktuar nga qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë që devijojnë nga aksi i autostradës, ndërsa mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse ka përkeqësuar situatën.
Ata shprehen se pavarësisht protestave të përsëritura, ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për rehabilitimin e rrugës prej rreth 500 metrash, e cila sipas tyre është bërë e pakalueshme për banorët e zonës.
Gjatë protestës, banorët bllokuan për rreth një orë qarkullimin në rrugë, duke paralajmëruar se do të vijojnë reagimet deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Ata po ashtu kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion që do t’u dërgohet institucioneve përgjegjëse, ndërsa nuk përjashtojnë edhe ndjekjen e rrugëve ligjore për zgjidhjen e situatës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës së dëmtuar, duke theksuar se zona e Krujës prej vitesh përballet me mungesë investimesh në infrastrukturë.







