Ballina Rajoni Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën: Dështimi për zgjedhjen e presidentit, hap...

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën: Dështimi për zgjedhjen e presidentit, hap prapa për vendin

93
0

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e ka cilësuar si “hap prapa” dështimin e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

“Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkroi Terras në një postim në rrjetin social X, pasi Kuvendi nuk arriti ta përmbyllë procesin e zgjedhjes së presidentit.

Reagimi i tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se deputetët dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.

Sipas Osmanit, 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi ta zgjidhte presidentin e ri, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill. Ajo tha se përpjekjet e dështuara për zgjedhjen e presidentit nuk ishin as të rastësishme dhe as të pamenduara, por “të kalkuluara”.

“Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se përmes dekretit po kryen detyrimin kushtetues.

Seanca e fundit e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka kundërshtuar dekretin e Osmanit, duke e cilësuar atë si “akt të paprecedent” që bie ndesh me rendin kushtetues. Zyrtarët e saj kanë thënë se vendi ka afat 60-ditor për ta zgjedhur presidentin dhe kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, Osmani ka zhvilluar takim me krerët e partive politike, ku nuk morën pjesë krerët e LVV-së, për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme./REL