Ballina Ekonomia Paradoksi digjital i Shqipërisë: investime në servera, taksa shtesë mbi laptopët apo...

Paradoksi digjital i Shqipërisë: investime në servera, taksa shtesë mbi laptopët apo televizorët

86
0

Shqipëria po përpiqet të pozicionohet si një qendër rajonale e teknologjisë dhe infrastrukturës digjitale. Projekti Durana Tech Park, planet për ndërtimin e datacenter-eve dhe retorika për transformimin digjital synojnë të krijojnë një profil të ri ekonomik për vendin, të lidhur me ekonominë e dijes dhe investimet teknologjike.

Ambicia është e qartë dhe në parim e mirëpritur. Një vend që kërkon të tërheqë investime në infrastrukturë digjitale duhet të ndërtojë një klimë sa më miqësore për teknologjinë, për inovacionin dhe për pajisjet që e bëjnë atë të mundur.

Por ndërkohë që me një dorë qeveria fton investitorët e mëdhenj të teknologjisë, me dorën tjetër ajo vazhdon me taksa ekstra për pajisjet bazike teknologjike që përdorin qytetarët dhe bizneset shqiptare.

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 465, datë 26.07.2023, përcakton një tarifë mbi importin e një liste të gjerë pajisjesh elektronike që mundësojnë riprodhimin e materialeve audio dhe video, në kuadër të së drejtës së autorit. Në këtë listë përfshihen ndër të tjera smartphone, laptopë, serverë, hard disk, televizorë, printerë dhe pajisje të tjera elektronike. Tarifa është 0.5% mbi vlerën doganore, një kosto që transferohet drejtpërdrejt në çmimin final që paguan konsumatori ose biznesi.

Në pamje të parë, kjo përqindje mund të duket e vogël. Por në praktikë ajo aplikohet mbi çdo pajisje të importuar ligjërisht në vend dhe shtohet mbi një seri taksash dhe kostosh të tjera që tashmë e bëjnë teknologjinë relativisht më të shtrenjtë në Shqipëri.

Dy mesazhe që nuk përputhen

Politika aktuale krijon një kontradiktë të qartë. Mesazhi i parë është se Shqipëria synon të bëhet një destinacion për investime në teknologji dhe infrastrukturë digjitale.

Mesazhi i dytë është se çdo pajisje teknologjike që hyn ligjërisht në vend mbart një tarifë shtesë që nuk ekziston në shumicën e vendeve të rajonit.

Një investitor i huaj që analizon klimën e biznesit nuk vlerëson vetëm incentivat për projekte të mëdha si datacenter-et. Ai vlerëson edhe koherencën e politikave publike. Kur një vend synon të zhvillojë një ekonomi digjitale, por njëkohësisht taton pajisjet bazë të saj, sinjali që dërgohet është i paqartë dhe kontradiktor.

Teknologjia nuk është vetëm infrastruktura e madhe e serverëve dhe kabllove ndërkombëtare. Ajo fillon nga laptopi i studentit, telefoni i programuesit dhe printeri i një biznesi të vogël.

Një politikë e vjetër për një ekonomi të re

Qëllimi formal i kësaj tarife lidhet me mbrojtjen e të drejtave të autorit. Vendimi parashikon një “shpërblim të arsyeshëm” për autorët për përdorimin privat të veprave të tyre, duke aplikuar një tarifë mbi pajisjet që mundësojnë riprodhimin e materialeve audio dhe video.

Objektivi është legjitim. Mbrojtja e të drejtave të autorit është një element i rëndësishëm i ekonomisë kreative.

Por mjeti i zgjedhur i përket një logjike tjetër ekonomike. Tarifat mbi pajisjet janë një mekanizëm i konceptuar në epokën kur muzika dhe filmat kopjoheshin në kaseta fizike dhe CD boshe.

Sot konsumimi i përmbajtjeve digjitale funksionon në një mënyrë krejt tjetër. Platforma si Spotify, Netflix apo YouTube paguajnë drejtpërdrejt të drejtat e autorit për çdo përdorim të përmbajtjes. Në këtë kontekst, tarifa mbi pajisjet krijon një formë të dyfishtë pagese për konsumatorin pa garantuar një përfitim real për autorët.

Kur politika ndëshkon formalitetin

Efekti anësor i një politike të tillë është i parashikueshëm.

Duke e bërë kanalin zyrtar të importit më të shtrenjtë, tarifa krijon një stimul shtesë për tregun informal të pajisjeve elektronike. Bizneset që operojnë me faturë dhe përmes kanaleve ligjore paguajnë tarifën. Ndërsa pajisjet që hyjnë në tregun informal shmangin çdo kosto të tillë.

Në këtë mënyrë, politika rrezikon të prodhojë efektin e kundërt nga ai që synon: në vend që të mbështesë formalitetin dhe transparencën në treg, ajo mund të rrisë incentivat për shmangie të rregullave.

Kur ligji e bën më të shtrenjtë formalitetin, ai në praktikë subvencionon informalitetin.

Teknologjia kërkon koherencë

Shqipëria ka arsye të forta për të ndërtuar një profil të ri ekonomik të bazuar në teknologji dhe inovacion. Investimet në infrastrukturë digjitale, në datacenter-e dhe në sektorin e IT mund të krijojnë një vlerë të shtuar të rëndësishme për ekonominë.

Por kjo ambicie kërkon koherencë në politikat publike.

Një ekonomi që synon të jetë digjitale nuk duhet të trajtojë teknologjinë si një burim të lehtë të ardhurash fiskale. Përkundrazi, pajisjet teknologjike duhet të konsiderohen si infrastrukturë bazë për produktivitetin, arsimin dhe konkurrueshmërinë e biznesit.

Në këtë kuptim, rishikimi i politikave që taton pajisjet digjitale nuk është thjesht një çështje fiskale. Ai është një test për seriozitetin e strategjisë së Shqipërisë për t’u bërë pjesë reale e ekonomisë digjitale.

Nëse vendi kërkon të tërheqë investime në serverë dhe qendra të mëdha të të dhënave, duhet të sigurohet që politika e tij fiskale të mos penalizojë laptopin, telefonin dhe pajisjet që janë themeli i asaj ekonomie. /ekofin.al