Kim Mehmeti ka reaguar me kritika të ashpra ndaj Vjosa Osmanit, duke e akuzuar për vendime të ngutshme dhe të motivuara nga inati politik ndaj Albin Kurti.
Sipas Mehmetit, presidentja u ngut të shpërndajë Kuvendin menjëherë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar këtë si përpjekje për ta “vrarë politikisht” Kurtin. Ai thekson se shumë politikanë shqiptarë veprojnë shpejt kur bëhet fjalë për interesat personale, por ngadalë kur janë në pyetje interesat kombëtare.
Shkrimi i tij i plotë:
U VETËVRA DUKE DASHUR TA VRASË KURTIN!
Presidentes aktuale të Kosovës aq shumë iu ngut t’i hakmerrej Kurtit dhe ta “vriste” politikisht, saqë të nesërmen pas dështimit të zgjedhjes së presidentit – ende pa i larë sytë pasi ishte zgjuar nga gjumi – ajo e shpërndau Parlamentin.
Jo vetëm ajo, por thuajse të gjithë burrështetasit shqiptarë janë inatçorë dhe të ngutshëm kur duhet t’i mbrojnë interesat e veta, por shumë të ngadalshëm kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarisë.
Duke qenë të tillë, ata ngutshëm pasurohen, ngutshëm bëjnë karrierë politike, ngutshëm vëllazërohen e armiqësohen, si dhe ngutshëm e varfërojnë dhe e zhvatin popullin e vet.
Ndërkohë, shumkush – përfshirë edhe autorin e këtij komenti – besonte se Vjosa do të ishte më ndryshe; se ajo më parë do t’i kthehej kuzhinës dhe “profesionit” të nënës e të shtëpiares së mirë, sesa ta dëmtonte Kosovën, por doli se me asgjë nuk dallon nga gjithë të tjerët.
Sidoqoftë, mbetet e vërteta se, duke dashur të bëjë atentat politik mbi Kurtin, Vjosa u vetëvra politikisht dhe e përjashtoi vetveten nga loja e mëtejshme politike.
Pra, ajo e shpërfaqi vetveten si një politikane që nuk mund t’i kontrollojë ambiciet e veta të sëmura, si një politikane e njëjtë me ata që në shumicë i ka shqiptaria – që interesat personale i vë mbi ato të popullit dhe të Kosovës.







