Një zjarr i madh shpërtheu të dielën në një ndërtesë pranë Stacionit Qendror të Glasgout në Skoci, duke shkaktuar shembjen e pjesshme të saj dhe ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor në stacionin më të ngarkuar të vendit.
Sipas raportimeve, zjarri nisi në një dyqan cigaresh elektronike në Union Street të dielën pasdite. Flakët u përhapën me shpejtësi në ndërtesën viktoriane, e cila disa orë më vonë u shemb pjesërisht për shkak të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Autoritetet njoftuan se të gjitha shërbimet e trenave në Stacionin Qendror të Glasgout pritet të anulohen të paktën deri të hënën në mbrëmje, ndërsa vijojnë kontrollet për dëmet dhe sigurinë e infrastrukturës.
Shërbimi Skocez i Zjarrfikësve u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën, ndërsa më shumë se 60 zjarrfikës punuan për orë të tëra për të vënë nën kontroll flakët, të cilat vazhduan të digjnin edhe në orët e para të mëngjesit, më shumë se 13 orë pasi u raportua për herë të parë incidenti.
Sipas kompanisë Network Rail, pas një takimi të zhvilluar rreth mesnatës, deri tani nuk është identifikuar ndonjë dëm i madh në vetë stacionin, por situata do të vlerësohet plotësisht me dritën e ditës.
Thirrja e parë për zjarrfikësit u regjistrua rreth orës 15:45 sipas orës lokale të dielën. Fillimisht u pa tym që dilte nga ndërtesa pranë hyrjes së stacionit, por brenda pak orësh flakët u përhapën dhe u bënë të dukshme nga larg, ndërsa dëshmitarët okularë i përshkruan ato në rrjetet sociale si “katastrofike”.
Sipas BBC Scotland, gjatë zjarrit u shemb edhe kupola në cep të ndërtesës. Një kafene që ndodhej brenda saj u shkatërrua plotësisht, ndërsa pronarja e sallonit të flokëve “Willow” raportoi se biznesi i saj u dogj totalisht nga flakët.
Për arsye sigurie, hoteli Voco Grand Central, i vendosur brenda kompleksit të stacionit, u evakuua dhe të gjithë personat që ndodheshin aty u transferuan në një hotel tjetër në qytet.







