Ballina Politika Lëvizja Bashkë protestë para Kuvendit, Muçi: Rama po e mbron ish-zv.kryeministren e...

Lëvizja Bashkë protestë para Kuvendit, Muçi: Rama po e mbron ish-zv.kryeministren e tij, ndërkombëtarët të reagojnë!

72
0

Lëvizja Bashkë zhvilloi një protestë para godinës së Parlamentit, ku kërkoi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në protestën me moton ‘sa më i madh skandali, aq më e madhe mbrojtja’ janë bashkuar disa dhjetëra qytetarë, një pjesë e të cilëve me pankarta anti-qeveritare në duar.

Gjatë një interviste deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deklaroi nga protesta se kryeministri Edi Rama përmes mbrojtjes që sipas tij po i ofron Ballukut, kërkon t’u japë një mesazh njerëzve të vet se do i mbroj nëse bëjnë korrupsion.

Muçi tha gjithashtu se ka një përplasje mes sistemit Ekzekutiv dhe atij Gjyqësor, teksa shtoi se veprimet e kryeministrit Rama për mbrojtjen e Ballukut, po minojnë Reformën në Drejtësi.

“Ne kemi organizuar disa protesta për të ushtruar një presion pozitiv ndaj ligjvënësve, sa i takon çështjes së mandatit të Ballukut. Tashmë siç janë shprehur partia në pushtet, duket sikur do ta mbrojnë, nuk janë të gatshëm t’i heqin imunitetin. Çështja është sesi Rama do t’u japë një mesazh të vetëve se do t’i mbrojë në këto nivele nga sistemi i drejtësisë. Kjo gjë besoj se në këto 10 vite reformë është e papranueshme dhe e patolerueshme. Pres që ndërkombëtarët të mbajnë një qëndrim ndaj kësaj që po bën Rama. Kemi një përplasje mes pushtetit Ekzekutiv dhe atij Gjyqësor. Fakti që Rama nuk pranon që t’i heqë imunitetin Ballukut, tregon shumë”, tha mes të tjerash Muçi.

Kujtojmë se ditën e nesërme në Kuvend do të votohet për imunitetin e Balinda Ballukut. Në Kuvend janë dy raporte, një nga PS dhe një nga PD, të cilat do të shqyrtohen. SPAK ka kërkuar arrestimin e Belinda Ballukut, të cilën e akuzon për korrupsion dhe ‘shkelje të barazisë në tendera’.