Ballina Politika Si i kërcënoi Rama anëtarët e kryesisë për votimin e sotëm për...

Si i kërcënoi Rama anëtarët e kryesisë për votimin e sotëm për Ballukun

79
0

Edi Rama ka pasur një makth të veçantë përpara seancës së sotme për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke dashur që të gjithë deputetët të ngrinin 83 kartonat e kuq për të rrëzuar kërkesën e SPAK. I vetëdijshëm që kjo gjë e kapërcente edhe kufirin moral të çdo socialisti leshko, i bindur se disa diplomatë të huaj kishin punuar edhe me deputetë brenda vathës së tij, kryeministri ka mbledhur brenda një jave dy herë kryesinë e PS-së.

Refreni i mbledhjes të së mërkurës ka qenë kërcënimi dhe shantazhi i hapur kundër ndonjërit që mund të imagjinonte të votonte për heqjen e imunitetit, apo ndonjë tjetri, që do guxonte të mos ishte prezent në sallë. Dhe Rama arriti të bëjë në seancën e kësaj të enjte një sukses me 83 vota, falë tre deputetëve të Tom Doshit, por sërisht atij nuk iu paraqitën në sallë, një ministër, që ka pasur fërkime në Dibër me Belinda Ballukun si Blendi Gonxhe (ndonëse formalisht ai ishte në një vizitë pune jashtë shtetit; babai i reformës në drejtësi, Fatmir Xhafa që e konsideroi të pakapërcyesëm personalisht idenë për të votuar kundër SPAK; së fundi, Elisa Spiropali që konsideron se është shkarkuar për shkak të Ballukut, e cila i përshpëriste në vesh Ramës se ajo flet keq në ambasada për korrupsionin me tenderat e rrugëve dhe energjisë.

Aktin e Spiropalit e bën edhe më të çuditshëm fakti se Rama e ka kërcënuar atë personalisht gjatë mbledhjes së kryesisë të së mërkurës. Kur kjo e fundit ka marrë fjalën, Skënderbeu i saj i është drejtuar me një gjuhë sa brutale, po aq edhe vulgare: “Mbylle gojën se ty unë të kam bërë ministre! Se kë vë dhe heq e di vetëm unë dhe si jap kërkujt llogari”.

“Ka qenë një nga mbledhjet me haluçinante të kryesisë në të cilat kam asistuar ndonjëherë. Në gjendje të tillë Ramën se kisha parë që prej kohës kur Luli i vodhi ato dhjetë votat për bashkinë duke e detyruar të dilte nga zyra. Ishte i shqetësuar, bërtiste pa shkak dhe dukej hapur që nuk i kontrollonte dot emocionet”, tha për Lapsi.al një burim brenda mbledhjes që kërkoi të mbetej anonim.

Sipas të njëjtit burim, thëniet e të cilit i konfirmoi edhe një i dytë, Rama gjendej në një situatë absurde: nga njëra anë ai akuzonte anëtarët e kryesisë se gjërat që thuheshin në grupin e tyre të ngushtë i shiteshin portaleve dhe 700 tenxhereve mediatike dhe nga ana tjetër vijonte të përdorte atë gjuhë kërcënuese, duke e ditur se të gjitha këto rrezikonin sërish të bëheshin publike. “As ia vlen ta mbledh më kryesinë, askush nga ju nuk më hyn në punë, për më tepër që më nxirrni fjalët nëpër media”, mësohet ti ketë thënë Rama të pranishmëve, nga të cilët askush nuk pipëtinte.

Përpos Spiropalit në target u kthye edhe Blendi Klosi. Jo për besnikërinë, të cilën shefi s’ia vinte në dyshim, por për faktin se nuk po luante rrolin e sekretarit të përgjithshëm për ta bërë zap partinë: “Ti je kot, nuk je fare Sekretar i Përgjithshëm”, kanë qenë fjalët që i janë përplasur në fytyrë atij, reagimin e të cilit Rama e ka pritur më kot. “Aq i trullosur ishte sa kaloi edhe në gjëra personale- vijoi burimi – i cili tregoi se Rama ka përdorur edhe fatkeqësinë e një njeriu të tij shumë të afërm (një detaj personal që Lapsi.al nuk e pa të arsyeshme ta publikojë), për tu thënë të pranishmëve se pavarësisht asaj ai vinte e humbte kohë me anëtarët e kryesisë.

Taktika, instikti apo çoroditja e kanë bërë kreun e socialistëve që për të arritur qëllimin të përdorë teknikën e zhvlerësimit deri në përdhosje të njerëzve që kishte rreth tryezës. “Ju jeni askushi dhe këtu ku jeni jeni prej meje….”, “Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh”, “Po të iki unë, PS shkon për lesh”, kanë qenë frazat që kanë dëgjuar me sy dhe vesh të çmerritur anëtarët e kryesisë.

Por ajo që lidhej drejtpërdrejt me votimin që do të mbahej sot ishte fjalia vrasëse: “Kush më del kundër do e sakatoj”.

“Askush nuk po kuptonte gjë. Të gjithë ishin të bindur se për votimin në mbrojtje të Ballukut nuk kishte asnjë problem dhe ai do të realizohej me një shumicë dërrmuese. Po kur dolëm disa prej nesh i bënin pyetje vetes, pse ai i donte të gjithë në rresht?… Dukej sikur nuk kishte hallin e votimit, po ti tregonte dikujt jashtë rradhëve tona mesazhin se ai qe hegjemon mbi këtë parti”, tha burimi i Lapsi.al.

Natyrisht, ashtu sikurse pritej, vetëm me dy tre mungesa, kërcënimet e Ramës e arritën qëllimin. Ai edhe njëherë tregoi se e kontrollon me dorë të hekurt grupin e vet palramentar.

Por e bukura është se ai e arriti këtë duke shantazhuar dhe nëpërkëmbur dinjitetin e atyre që do votonin. Pikërisht atë dinjitet të deputetit, për të cilin një ditë më pas u tha ndërkombëtarëve se me të nuk duhet të bëheshin eksperimente socio-politike.