Kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur për mediat u ndal tek çështja e Belinda Ballukut, duke theksuar se deklaratat e bëra nga disa përfaqësi kanë qenë shumë të qarta, por mënyra se si janë lexuar është e ndryshme.
Gjithashtu kryeministri nënvizoi se ‘ëndrra europiane nuk ka mbaruar’ , dhe se sipas tij qëllimi ka qenë që të deformohet suksesi i Shqipërisë.
“Nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Sepse vetë SPAK nuk ka ngritur akuzë për korrupsion. Jemi përballë një çështjeje në hetim, që mund të hetohet lirisht pa asnjë pengesë. E përsëris dhe atë që thash para grupit parlamentar, e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe hetojë të gjitha pistat ku të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ‘ferra e korrupsionit’. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni. Është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret. Sikundër, e dini shumica e dinë, pakica bëjnë sikur se dinë. Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve. Një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shoh partnerët në sy dhe të më shohin në sy, në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shoh njeri nga lart poshtë dhe as të lejojë njeri të më shoh nga lart poshtë. Përtej karikaturave që janë ndërtuar në pazarin mediatiak, diskutimet tona kanë qenë të hapura, jo me tensione dhe presione, apo kërcënime. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Besoj se edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi si nga përfaqësia e BE, janë të qarta. Por varet se si i lexoni.”, tha ai.







