Ballina Politika Rama: Republika Khomeiniste e Iranit do të shpallet shtet sponsor i terrorizmit

Rama: Republika Khomeiniste e Iranit do të shpallet shtet sponsor i terrorizmit

180
0

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi shpalljen e Republikës Khomeiniste të Iranit, siç iu referua ai, si shtet sponsor të terrorizmit.

Në konferencën për gazetarët, kryeministri tha se javën që vjen do të paraqesin në parlament një rezolutë për të shpallur Gardën Revolucionare të Iranit, por edhe Hezbollahun fqinj në Liban, që mbështetet nga Teherani, si organizata terroriste, sikurse kanë vepruar edhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Ramës, nuk mund ta quajë si Republika Islamike e Iranit pasi nuk ka asnjë lidhje me Islamin.

“Të gjithë ata që kanë menduar se do të nënshtrojnë Republikën e Shqipërisë, qofshin forca të brendshme apo të jashtme, do të mbeten me gishtin që do të dëshirojnë ta zgjedhin vetë në gojë. Javën që vjen, parlamenti do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur republikën khomeiniste të Iranit, s’e them dot islamike sepse ajo republikë nuk ka lidhje me Islamin sipas asaj që unë di dhe sipas asaj që çmoj te Islami, shtet sponsor të terrorizmit dhe bashkë me këtë si organizatë terroriste garda republikane dhe Hezbollahu. Sepse kjo është e vërteta. Natyrisht në këtë hapa nuk jemi pionerët, sepse ka pasur më parë edhe partnerë, miq që i kanë hedhur por është koha ta bëjmë edhe ne këtë gjë.”, tha Rama.

Duke u ndalur te kriza që ka shkaktuar konflikti në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës, që ka prekur edhe Shqipërinë, Rama tha se në tregun e naftës do të fusin forcën e shtetit, duke shtuar se gjërat do të ndryshojnë.

“Lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore. Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit.  Sa më shumë të vdekur na duan aq më shumë ne gjallërohemi. Ne do ta krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim edhe në tregun e naftës. Shumë shpejt do të japim shembullin se si edhe në tregun e naftës gjërat do ndryshojnë.

Duke vënë në dispozicion garancinë e shtetit do bëhet shumë më e lehtë se ç’e kanë sot lojtarët në treg që të kenë qëndrueshmëri afatgjatë. Kemi në proces ligjin e rezervave. Sot kjo është imperativë. Në ligjin për konsultim publik e kemi përcaktuar se rezerva duhet të shkojë për 3 muaj. Kjo nuk mjafton më si masë sigurie. Duhet të shkojmë përtej sigurisë, te ajo që qytetarët ndjejnë, meritojnë të kenë, një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu i sotëm”, tha Rama.