Detyrimet e prapambetura të njësive të qeverisjes vendore kanë shënuar rritje në fund të vitit 2025, duke reflektuar vështirësitë që një pjesë e bashkive kanë për të menaxhuar financat dhe për të respektuar afatet e pagesave ndaj kontraktorëve dhe furnitorëve.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura të bashkive në dhjetor 2025 arriti në 2.9 miliardë lekë, edhe më i lartë krahasuar me periudhën paraardhëse të raportimit, shtator 2025, kur ishte 2.8 miliardë lekë, duke treguar se procesi i shlyerjes së borxheve vendore nuk ka ecur sipas ritmit të parashikuar.
Kjo rritje vjen në një kohë kur në korrik të vitit 2025 Ministria e Financave u kërkoi zyrtarisht njësive vendore të hartonin dhe zbatonin një kalendar të detyrueshëm për shlyerjen graduale të detyrimeve të prapambetura, me qëllim reduktimin e tyre deri në fund të vitit. Bashkitë duhet të merrnin masa për disiplinë më të fortë financiare, të shmangnin krijimin e borxheve të reja dhe të përdornin një pjesë të të ardhurave për shlyerjen e detyrimeve ekzistuese.
Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se në disa bashki procesi nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Një pjesë e tyre jo vetëm që nuk i kanë ulur detyrimet, por kanë regjistruar edhe rritje të stokut të borxhit në fund të vitit.
Nga analiza e të dhënave rezulton se pesë bashkitë me nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2025 janë Bashkia Kavajë me rreth 755 milionë lekë, Bashkia Pogradec me rreth 220 milionë lekë, Bashkia Vorë me rreth 185 milionë lekë, Bashkia Rrogozhinë me rreth 141 milionë lekë dhe Bashkia Tiranë me rreth 133 milionë lekë.







