Ballina Dossier Intervista e ambasadorit të parë të SHBA në Shqipëri: Drejt normalizimit të...

Intervista e ambasadorit të parë të SHBA në Shqipëri: Drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendve

66
0

Nga Hamdi Jupe

Së pari do të ishte me interes të dinim diçka për karrierën tuaj diplomatike dhe për interesimin tuaj për Shqipërinë, para se të vinit në vendin tonë.

Para se të vija në Shqipëri, kam punuar katër vjet në ambasadën amerikane në Beograd. Në ambasadën tone vinin shumë shqiptarë. Prandaj m’u duk se do të ishte shenjë mirësjelljeje nga ana ime, të mësoja disa fjalë e shprehje të gjuhës shqipe për t’u përshëndetur me ta. Kështu filloi interesimi im për shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Kam mësuar diçka nga kjo gjuhë, por jo shumë.

Njohuritë e mia për Shqipërnë, para se të vija këtu, ishin shumë të pakta. Një nga faktorët që ka ndikuar në këtë drejtim ishte izolimi i Shqipërisë. Kjo e bënte të vështirë njohjen konkrete me të. Misionin tim për të ardhur në Shqipëri e prita me kënaqësi. Më pyetën në telefon, nëse do të isha në gjendje ta bëja këtë punë. Pyeta edhe gruan time në telefon dhe ajo ishte dakord që ta pranoja këtë detyrë.

Ju po i ndiqni rregullisht të gjjtha seancat e punimeve të Parlamentit tonë. Cilat janë përshtypjet tuaja për zhvillimin e këtyre punimeve?

Nuk dua të përsëris konsideratat që kam dhënë më parë. Por mund të them se më bën përshtypje të veçantë, kur dëgjoj në diskutime konsideratat për të drejtat e njeriut, kur shikoj tonin e debatit, tolerancën e treguar dhe faktin që Parlamenti u kushton kohën e duhur problemeve që diskutohen. Demokracia është qënie e ngadaltë, në kuptimin që kërkon kohë për të kuptuar të gjitha pikëpamjet. Nuk mund të vendosë një njeri i vetëm. Ti, përshembull, mund të kërkosh që nesër ne të tre (me përkthyesen  – H.J) të shkojmë në Berat. Por ne dy të tjerët kemi mendimet toma. Prandaj duhen dëgjuar të tre mendimet e pastaj të vendoset.

Çfarë mendimi keni për shkallën e konsensusit në Parlament?

Përgjigjen për këtë mund ta japin më mirë 250 deputetët. Por mua më bën përshtypje dëshira e tyre për të diskutuar gjatë për një problem që është i rëndësishëm.

A mendosi se ka ndonjë rast kur teprohet në këtë drejtim?

Jo, mendoj se nuk ka raste të tilla. Të paktën ky është mendimi im personal. Dikur më ka qëlluar të marr pjesë në një takim të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit dhe të Shërbimit të Emigracionit të SHBA-së me disa fise indiane që jetojnë në kufi midis SHBA-së dhe Meksikës. Takimi u zhvillua sipas rregullave të indianëve. Sipas një rregulli të tyre, personi që merr fjalën ka të drejtë të flasë sa të dojë e për çfarë të dojë, derisa të pushojë vetë. Kështu, ne u detyruam të dëgjojmë për më shumë se tre orë fjalimin e një plaku indian, për problemet që kishte pasur për gërmimin e një pusi. Fjalimi i plakut u mbajt në gjuhën “papagano” dhe duhej përkthyer në anglisht. Kështu pra, ne “gërmuam” tre orë e gjysmë bashkë me të.

Mos doni të thoni që  edhe në Parlamentin tonë ka ndonjë “indian” që po gërmon puse?

Jo, këtu nuk ka të tillë. Desha të them vetëm se ka edhe raste kur njeriu është i detyruar të dëgjojë gjatë e me durim. Para disa ditësh Parlamenti ynë miratoi Ligjin “Për dispozitat kryesore kushtetuese”. Cili është mendimi juaj për këtë Ligj, veçanërisht në drejtim të zgjerimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunmit të vendit tonë me vendet e tjera? A u përgjigjet ligji standarteve ndërkombëtare?

Për mendimin tim, Ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese” që sapo u miratua ështe shumë i mirë dhe do të ndikojë dukshëm në zgjerimin e marrëdhëniave të vendit tuaj me vende të tjera. Unë nuk e kam lexuar pjesën për problemet ekonomike, sepse nuk jam ekonomist. Sidoqoftë, ligji përbën një fillim të mbarë. Vetëm se ligji është një gjë dhe marrëdhëniet konkrete janë një gjë më vete. Mund të ketë probleme jashtë ligjit që e pengojnë zhvillimin e vrullshëm të marrëdhënieve me botën. Qeveria ime, psh është e shqetësuar për ngjarjet e Shkodrës dhe shpreson se ata që janë përgjegjës për të do t’i jepen drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur. Mendoj se duke bërë këtë gjë, kjo do të tregojë se këtu edhe po veprohet konkretisht.

A mendoni se Parlamenti u kushtoi kohën e mjaftueshme ngjarjeve të Shkodrës?

Besoj se kryesore nuk është çështja e kohës që u vihet në dispozicion ngjarjeve të tilla. Kryesore është rezultati që arrihet, duke vepruar me vendosmëri.

Qeveria e ardhshme do të jetë e krijuar vetëm nga Partia e Punës. A do të ndikojë ky fakt në marrëdhënie me vendet e tjera?

Unë nuk mund të flas për vendet e tjera. Për SHBA-në nuk ka rëndësi se cilës parti i përket qeveria. Do të jenë veprimet konkrete të qeverisë shqiptare ato që do të ndikojnë në marrëdhëniet me Amerikën.

Ju e dëgjuat programin e qeverisë të paraqiitur në Parlament  nga kryeministri Fatos Nano. Ç’mendim keni për këtë program?

Është një program shumë ambicioz. Tani le të presim për të parë se sa do të përmbushet.

Mos ndoshta ju e vini në dyshim realizimin e tij?

Unë nuk jam politikan, prandaj po vë në dyshim të gjithë politikanët, edhe ata të SHBA-së.

Në çfarë fushash e shikoni të mundshëm dhe të dobishëm bashkëpunimin midis vendit tonë dhe SHBA-së? A ka ndonjë gjë të afërt e kontrete në këtë drejtim?

Të flasim ndershmërisht, kemi filluar të bisedojmë me Shqipërnë për këto probleme, sepse deri tani kemi qenë në izolim të plotë nga njeri – tjetrin. Me një interesim dhe përkujdesje të veçantë të të dya palëve, para disa ditësh ka ardhur në Shqipëri një ekspert ekonomik i vendit tonë. Jam shumë i lumtur që ai më ankohet se ekspertët shqiptarë po e mbysin me informacion. Natyrisht, duhet të mësojmë më shumë nga njeri – tjetri dhe ky është vetëm fillimi.

Nga njoftimi i ATSH-së mësuam se në bisedimet midis ambasadorit amerikan, Zotit Robert Berri, me të dëguarin a.i të Shqipërisë në SHBA, Sazan Bejo, u fol për konkretizimin e shpejtë të marrëdhënieve dhe për ndihma amerikane për Shqipërinë. A mund të na thoni diçka konkrete në këtë drejtim?

Nuk mund të them ndonjë gjë konkrete, sepse vendimet për gjëra të tilla do të merren në Washington dhe unë kam mundësi shumë të kufizuara të lidhem me Washingtonin. Di që nga pala jonë janë bërë të gjitha përpjekjet që t’i bëhet e mundur zotit Bejo të qarkullojë lirshëm në Washington dhe të takojë kë të dëshirojë në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin Amerikan. Me sa kam dëgjuar, punët e tij duken se po shkojnë shumë mirë. Shpresoj se ai atje po gjen të njejtën mikpritje  të ngrohtë, siç po gjej edhe unë në Shqipëri. Një gjë e re, që ndoshta ju nuk e dini, është se më tetë maj (katër ditë më parë – H.J) Shtëpia e Bardhë njoftoi se portet e SHBA-së janë tani të hapura për anijet shqiptare.

Po a ka arsye që anijet tona të shkojnë sot për sot në portet amerikane?

Mendoj se ka arsye të shkojnë. Ne tani jemi duke i normalizuar marrëdhëniet.

Po portet tona a janë të hapura për anijet amerikane?

Për këtë nuk di të përgjigjem. Di vetëm se eksperti ynë ekonomik për të cilin fola më lart, ka biseduar me autoritetet tuaja edhe për këtë problem. Ata e kanë çuar të vizitojë edhe portin e Durrësit. Nëse do të hapen portet tuaja për anijet amerikane, kjo do të varet nga autoritette shqiptare.

Nevoja e qarkullimit të lirë të njerëzve nga Shqipëria në SHBA dhe anasjelltas, bën të nevojshme hapjen sa më shpejt të Ambasadës Amerikane në Tiranë.  Qytetarët shqiptarë për të marrë vizën për në Amerikë, detyrohen të shkojnë në amabasadat amerikane të vendeve fqinje me vendin tone. Kur mendoni se mund të hapet ambasada juaj këtu?

E dime këtë nevojë dhe shpresojmë se ambasada jonë do të hapet sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk mund të jap datë të saktë për këtë. Por kjo nuk mund të bëhet pa patur një personal të plotë dhe një vend të përshtatshëm pune. Deri tani, si të tillë, kemi vetëm një dhomë në Hotel “Dajti”.

A ka pengesa nga pala jonë për t’i krijuar këto kushte?

Tani për tani le të themi vetëm kaq sa thamë për këtë problem.

Duke qenë për disa vjet në Jugosllavi, Ju i njihni problemet e shqiptarëve atje. Si e gjykoni përjashtimin e tyre  nga bisedimet e tanishme për të ardhmen e Jugosllavisë?

Ju e njihni po aq mirë sa edhe unë rëndësinë e ngjarjeve të tanishme në Jugosllavi. Dhe besoj se politika amerikane ka qenë e qartë ndaj këtyre ngjarjeve. Problemet e shqiptarëve në Jugosllavi nuk mund të zgjidhen pa biseduar me shqiptarët. Tjetër gjë është forma dhe mënyra e bisedimeve, e cila është një çështje e brendshme e atij vendi.  Shqetësimi ynë është që të mos bëhet asgjë me dhunë, sespe nuk besojmë se dhuna mund të zgjidhë ndonjë gjë.

Ju faleminderit për intervistën.

(Botuar në gazetën “Zëri i popullit”, 12 maj 1991)