Ballina Kronika Dy herë i shpallur në kërkim për armë, Ylli Zalla i shpëton...

Dy herë i shpallur në kërkim për armë, Ylli Zalla i shpëton kapjes nga Policia e Shtetit

176
0

Nga Elton Qyno 

Ylli Zalla, mesditën e sotme i ka shpëtuar një operacioni policor që kishte si synim kapjen e tij në zonën e Fushë-Krujës.

Prej mesit të muajit Nëntor 2025 dhe deri më sot, Ylli Zalla, është shpallur dy herë në kërkim nga policia dhe prokuroria e Tiranës, pasi në banesat e tij, është gjendur në dy raste arsenal i madh armësh.

Për herë të parë Ylli Zalla, u shpall në kërkim nga organet ligjzbatuese, gjatë një kontrolli në banesën e tij. Kontrolli është kryer menjëherë pas vrasjes së Gilmando Danit dhe Mustafa Sheqerit në zonën e Rinasit.

Por në vend të provave për ta lidhur me dy vrasjet, policia kriminale gjeti një arsenal të tërë armësh.

Pas sekuestrimit të armëve dhe municioneve, disa kohë më pas sërish policia ushtroi një kontroll policor, por në vend të kapte Ylli Zallën, sërish gjeti armë në banesë, duke çuar në shpalljen në kërkim për herë të dytë.

Gjatë kësaj kohe vendndodhja e Ylli Zallës, u lokalizua në një banesë në zonën e Fushë-Krujës. Policia e Tiranës ka marrë masa për arrestimin e tij, por sërish ai ka mundur të largohet.

Ylli Zalla, është një eksponent i njohur i krimit në zonën e Fushë-Krujës, duke u marrë me kultivim kanabisi dhe shitjen e tij si dhe tregtinë e armëve.

Ylli Zalla është kushëri i Bashkim Zallës, që të dy disa vite më parë janë dyshuar për vrasjen e shtetasit Libanez Anëar Rizik në Tiranë, i cili kishte rol drejtues në Fabrikën e Çimentos që ndodhet në fshatit Zallë të Fushë-Krujës./syri