Ballina Opinion Rezolutë ‘pordhë me rigon’ e Edi Ramës

Rezolutë ‘pordhë me rigon’ e Edi Ramës

102
0

Nga Armand Maho 

Edi Rama, nxitoi dhe një herë të dukej para SHBA-ve, duke miratuar një rezolutë e cila e shpallte shtetin e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit. Në pamje të parë kjo duket një vendim i mençur i një vendi anëtar i NATO-s, i cili megjithëse fundi i kavallit në aleancë, rreshtohet krah aleatit të saj më të madh, SHBA-të, në një luftë ku, me shumë mundësi, as i intereson se çfarë bëhet, përveç faktit që e sheh si një rast të mirë për të rritur çmimet dhe zhvatur taksat.

Por, çfarë është realisht regjimi i Iranit, të cilin Rama e quan terrorist, dhe pse mënyra se si ai ushtron pushtetin në Shqipëri ngjan kaq shumë me modelin e ayatollahëve?

Në shtetin Islamik të Iranit Ayatollahu është institucioni më i lartë i vendit. Pavarësisht se ka edhe president, edhe parlament, është ai që kontrollon gjithçka në atë vend. Ai kontrollon Gardën Republikane dhe ushtrinë, politikën e jashtme, emërimet në qeveri, dhe sistemin e drejtësisë. Nuk i nënshtrohet zgjedhjeve dhe votohet vetëm nga ajo që quhet Asambleja e Ekspertëve e cila rinovohet çdo tetë vjet. Mandati i tij mbaron ose kur vdes, ose kur largohet.

Po ta mendosh hollë-hollë, në profilin psiko-politik të Ramës, ky është shteti ideal të cilin ai po përpiqet ngadalë ta ndërtojë edhe në Shqipëri. I vetmi ndryshim është fakti se duke njohur kapacitetin e tij, s’mund të dalë hapur kundër vendeve mike, që me hipokrizi i quan aleatë. Kjo sepse ai këtë term e përdor për sa kohë këto shtete i vijnë pas avazit korrupsionit dhe lidhjeve me trafiqet dhe krimin e organizuar, dhe sapo sheh ndonjë lëvizje kundër kësaj politike nuk ngurron t’i etiketojë si vende të korruptuara, apo pse jo deri diku edhe armike.

Në rrafshin e shtetformimit, Rama në këto vite pushtet nuk ndryshon shumë nga një ayatollah iranian. Madje, për sa i përket shtrirjes dhe kontrollit të pushtetit, ai ka më shumë fuqi edhe se vetë ata. Me anë të varësisë korruptive dhe sistemit që ka ngritur ai kontrollon gjithçka në vend. Parlamentin, Bajramin që e ka kthyer në lolo, drejtësinë (vettingu i famshëm kishte pikërisht këtë qëllim), policinë, ushtrinë, krimin e organizuar, zgjedhjet, mediat dhe të gjitha me radhë. Ndryshimi i vetëm është se këtë nuk e ka bërë me kushtetutë por me anë të korrupsionit sistematik. Në Iran, lideri i opozitës ka që prej vitit 2014 në arrest shtëpie, ndërsa Edi Rama këtu e mbajti një vit, dhe loboi për ta shpallur non grata. Ndërsa kreun e një partie tjetër opozitare ka mbi një vit që e mban në burg pa prova. Madje deliri i madhështisë shkoi deri aty, sa në mes të Tiranës ngriti një godinë me imazhin e tij për t’i bërë karshillëk bustit të Skënderbeut.

Megjithatë, Rama ka të drejtë kur porosit Taulant Ballën që veç orave të shtrenjta që merr si dhuratë, të hartojë rezolutë dhe të drejtojë gishtin nga Irani si sponsor i terrorizmit ndërkombëtar. Vetëm se ky qëndrim është ai i një skuthi politik. Apo kërkon kredite, në një moment të vështirë të pushtetit të tij. Me këtë ai kërkon të mbulojë shtetin kanceroz të pastrimit të parave që ka ngritur në mes të Tiranës. Kohët e fundit nga një hetim i prokurorisë belge, doli se vetëm një trafikant i rëndomtë kishte 40 apartamente të blera në Tiranë, Durrës e Fier.

Rezoluta mirë që u miratua, por kush mendon se Rama e bën këtë në të mirë të Shqipërisë, është debil në rastin më të mirë ose i shitur në rastin më të keq. Kryeministri, në këtë çast të vështirë, kur shtetet aleate i janë vënë në shpinë, po kërkon dëshpërimisht tutorin mbrojtës të radhës. Për këtë i mjafton asambleja e zengjinëve apo sarajeve si pjella të krimit apo korrupsionit dhe nuk ka nevojë për praninë e opozitës. Në rast se Rama do e kishte sinqerisht luftën ndaj terrorizmit, së pari do ndalonte marrëzinë me ndërtimet në këtë vend, do dorëzonte tek drejtësia Belinda Ballukun, luftonte krimin e organizuar dhe lejonte zgjedhje të lira. Sepse rezolutat e iniciuara me Taulant Ballën, që i del emri në çdo përgjim dhe dosje te krimit në Shqipëri janë thjesht, siç i thonë asaj fjalës, “pordhë me rigon”.