Ballina Politika Braçe: Rritja e çmimit të naftës nuk justifikohet nga lufta në Iran

Braçe: Rritja e çmimit të naftës nuk justifikohet nga lufta në Iran

76
0

Deputeti socialist Erion Braçe vijon të denoncojë rritjen e çmimit të naftës në vendin tonë me një shpejtësi dhe shtesë të tillë që nuk justifikohet me situatën në Lindjen e Mesme.

Përmes rrjeteve sociale, Braçe thekson vlerësimin e tij për faktin që kryeministri Edi Rama u bëri të qarta sot kompanive shqiptare të furnizimit me naftë se efektet e krizës së shkaktuar nga lufta në Iran nuk duhet të peshojnë tërësisht në supet konsumatorëve fundorë, por edhe tregtarët e hidrokarbureve duhet të bëjnë pjesën e tyre të sakrificës.

Më tej, ish-deputeti deklaron se modeli i tregut që sipas tij kanë imponuar tregtarët shqiptarë të naftës është i gabuar, pasi “Kompanitë shqiptare nuk importojnë hidrokarbure; importojnë dy kompani që tregtarët tanë i quajnë brokera; këta blejnë në bursë – në afat të shkurtër, të mesëm e të gjatë, duke përfituar nga çmimet në kohën kur blejnë; këta transportojnë, këta depozitojnë në Durrës e Vlorë, këta shesin në ato depozita brenda territorit të Shqipërisë; këta përfitojnë nga lëvizja e çmimeve – e thjeshtë, kanë blerë një muaj më parë në bursë me një çmim të ulët dhe po shesin sot me çmimin e rritur në depozitat tona.

Ky model tregu e përcjell shumë shpejt – për 4 ditë këtë herë – krizën, madje artificialisht – kanë blerë naftë një, dy, tre muaj më parë, me çmim të ulët dhe po shesin sot në Durrës e Vlorë me çmimin e sotëm të lartë të bursës; këtë çmim paguajnë tërësisht qytetarët, edhe ata që punojnë, bujqit të parët.”

Postimi i plotë i Erion Braçes:

Për çmimin e rritur të naftës, benzinës, gazit

Unë insistoj – duhet shembur modeli i tregut që na kanë imponuar tregtarët!

Qëndrimi i sotëm i kryeministrit për të ndarë barrën e krizës – rritjes së çmimit të hidrokarbureve, është një zhvillim i ri pozitiv;

Kriza erdhi nga lufta, çmimet u rritën prej saj;

Por deri më sot, barrën financiare të krizave si kjo e kanë paguar vetëm qytetarët, aspak tregtarët, ata kanë fituar edhe në kohë krize.

Në anë tjetër, ka edhe elementë të tjerë që as i përmendi kush në takimin e sotëm;

I pari është modeli i tregut që na kanë imponuar tregtarët.

Kompanitë shqiptare nuk importojnë hidrokarbure; importojnë dy kompani që tregtarët tanë i quajnë brokera; këta blejnë në bursë – në afat të shkurtër, të mesëm e të gjatë, duke përfituar nga çmimet në kohën kur blejnë; këta transportojnë, këta depozitojnë në Durrës e Vlorë, këta shesin në ato depozita brenda territorit të Shqipërisë; këta përfitojnë nga lëvizja e çmimeve – e thjeshtë, kanë blerë një muaj më parë në bursë me një çmim të ulët dhe po shesin sot me çmimin e rritur në depozitat tona.

Ky model tregu e përcjell shumë shpejt – për 4 ditë këtë herë – krizën, madje artificialisht – kanë blerë naftë një, dy, tre muaj më parë, me çmim të ulët dhe po shesin sot në Durrës e Vlorë me çmimin e sotëm të lartë të bursës; këtë çmim paguajnë tërësisht qytetarët, edhe ata që punojnë, bujqit të parët.

Ky model tregu nuk ka transparencë; duket sikur çmimet janë transparente – çmime burse, por jo; askush nuk e di marrëdhënien mes brokerit dhe kompanisë shqiptare për depozitimin, mbi të gjitha për çmimin e shitje-blerjes mes tyre, zero, asnjë kontratë transparente.

Abuzimi në tregun e brendshëm ja bën muuuu. Ej, unë lexoj mesazhe imponuese për çmimin – sidomos për gazin. Është turp dhuna mbi pikat e bardha – jo të branduara; pikat e bardha, veçanërisht ato me pronësi mbi pikën të vetë, pa shpenzime qiraje e të operuara familjarisht, janë nën sulmin e të mëdhenjve.

Për naftën, çmimi i ri 200 lekë+, është kufiri kur konsumatori mendohet të blejë naftë, për më shumë tek pikat e bardha; rritja e imponuar e çmimit vret pikat e bardha e përqendron tregun e pakicës, dëm mbi konsumatorin ky.