Dhjetëra fermerë të serave në bashkitë Dimal dhe Roskovec protestuan mesditën e së enjtes në qendër të fshatit Samaticë për çmimet e ulëta të grumbullimit.
“Pikat e grumbullimit e marrin prodhimin pa fatura dhe nuk deklarojnë çmimin. Na tregojnë për çmimin një ditë më pasi kane marre prodhimin. Këtu ishte ministri i Bujqësisë para disa ditësh dhe ia shprehëm si shqetësim por asgjë s’ka bërë për t’i dhënë zgjidhje”, thanë ata.
Sipas tyre, grumbulluesit ua marrin prodhimin me çmime nën kosto, kryesisht kastravecin, i cili aktualisht po tregtohet me rreth 60-70 lekë/kg, një nivel që fermerët thonë se është në rënie të vazhdueshme.
“Unë kam vjelë prodhimin në mëngjes e çova tek grumbulluesi dhe çmimi ishte me X. Në darkë më thanë se do ta japim çmimin nesër. Kjo gjë nuk është normale se ne po dalim me humbje. Në fund ata e faturojnë s te duan. Kemi bërë shumë shpenzime dhe jemi prekur dhe nga përmbytjet”, thanë me tej.
Të dhënat zyrtare të tregjeve publikuar ne faqen “Agroalbania” konfirmojnë këtë situatë. Në disa nga tregjet me shumicë si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Lushnja, çmimi i trangullit varion nga 50 deri në 70 lek/kg, duke reflektuar një ofertë të lartë dhe presion në ulje të çmimeve.
Fermerët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Autoritetit të Konkurrencës për të rregulluar tregun dhe për të garantuar çmime të drejta për prodhimet e serave.
“Ne kërkojmë që çmimi të jetë standard. Ne duam që kur shkojmë te pikat e grumbullimit të na japin çmimin dhe të mos e ndryshojnë më gjatë ditës, sipas dëshirës”, thanë ata.
Në këtë zonë janë rreth 500 hektarë sera dhe përbëjnë burimin kryesor të jetesës për dhjetëra familje. Fermerët paralajmërojnë se kjo është vetëm faza e parë e reagimit dhe, në mungesë të një zgjidhjeje, protestat do të përshkallëzohen.







