Java e 30-të e Serie A nisi me një sukses të rëndësishëm për Napolin, që triumfoi 0-1 në transfertë ndaj Cagliarit.
Goli i vetëm i takimit erdhi shumë herët, që në minutën e dytë. Alessandro Buongiorno tentoi pas një goditje nga këndi, por portieri Elia Caprile reagoi. Topi përfundoi te Scott McTominay, i cili nga fare pranë nuk gaboi, duke i dhënë avantazhin skuadrës së drejtuar nga Antonio Conte.
Më pas, Matteo Politano tentoi të dyfishonte shifrat, por u ndal nga Caprile. Në krahun tjetër, Vanja Milinković-Savić u shfaq vendimtar me disa pritje të rëndësishme ndaj Zé Pedro dhe Sebastiano Esposito.
Napoli arriti kështu fitoren e katërt radhazi, duke u ngjitur në vendin e dytë në renditje, gjashtë pikë pas Interit, që do të luajë ndaj Fiorentinës.
Nga ana tjetër, situata e Cagliarit bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi ka grumbulluar vetëm dy pikë në shtatë ndeshjet e fundit dhe rrezikon seriozisht mbijetesën në elitën e futbollit italian.







