Kontrollet në tregun e hidrokarbureve në kryeqytet po vijojnë me intensitet të lartë, ku Taskforca e përbashkët e Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore ka konstatuar shkelje të rënda në disa subjekte të tregtimit të karburanteve, të identifikuara përmes analizës së riskut.
Gjatë kontrolleve në terren, janë evidentuar një sërë parregullsish, ndër të cilat moslëshimi i faturës tatimore, punonjës të padeklaruar, tregtim i mallrave pa faturë, mungesë e instalimit të sistemit të fiskalizimit si dhe mosmbajtje e rregullt e dokumentacionit tatimor.
Në përfundim të verifikimeve, dokumentacioni tatimor i subjekteve në shkelje është sekuestruar nga autoritetet përkatëse.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që operojnë në këtë sektor të respektojnë legjislacionin në fuqi, duke theksuar rëndësinë e formalizimit të aktivitetit ekonomik.
Sipas autoriteteve, kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin me qëllim formalizimin e tregut të hidrokarbureve, parandalimin e abuzimeve me çmimet dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rritjet fiktive të tyre.







