Ballina Politika Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë, Rama tallet: Nuk janë...

Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë, Rama tallet: Nuk janë vënë re abuzime

113
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve, duke e lidhur situatën me zhvillimet e fundit globale pas konfliktit në Iran. Në podcastin e tij “Flasim”, Rama theksoi se kriza ndërkombëtare ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit me naftë, duke sjellë rritje të menjëhershme dhe të ndjeshme të çmimeve në treg.

Ai bëri të ditur se qeveria ka intensifikuar monitorimin e tregut për të parandaluar abuzimet dhe ka ndërmarrë masa konkrete, përfshirë rikthimin e bordit të transparencës për çmimet e karburanteve dhe uljen e përkohshme të akcizës së naftës me rreth 20%.

Sipas tij, këto ndërhyrje synojnë të lehtësojnë barrën mbi qytetarët dhe të garantojnë që situata të mos shfrytëzohet për përfitime të padrejta.

“E lashë në fund këtë shënim, jo për nga rëndësia, por përkundrazi, sepse është një shënim që është përkon me një moment jashtëzakonisht të ndërlikuar në rang global, që ka impaktuar drejtpërdrejt të gjithë zinxhirin e furnizimit të karburantit dhe që reflektohet në mënyrë agresive në rritjen e çmimit të naftës.

Kemi folur për këtë gjatë ditëve të fundit. Është një temë që kërkon vëmendje dhe ka vëmendjen tonë të vazhdueshme, orë pas ore dhe siç e kemi thënë, kemi ndërmarrë hapa konkretë, është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep.

Në të njëjtën kohë është marrë edhe një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %, në mënyrë që të lehtësohet, si të thuash, disi barra mbi përdoruesit e automjeteve. Por ndërkohë, dua ta them shumë, shumë qartë, që në fund të ditës, ajo që ne na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët.

Në të njëjtën kohë, ne po ecim me shpejtësi nga njëra anë për projektligjin për rezervat strategjike, i cili ndodhet në konsultim publik. Është një proces i nisur përpara se të fillonte kjo krizë e re, që lidhet me humbjen e baraspeshës së botës në rang global, gjë e cila po provokon kriza pas krizash. Dhe nga ana tjetër, paralelisht, ne po përgatitemi që të fusim në treg një faktor publik, një forcë të re, e cila do të ketë barren, që së bashku me një sërë masash tjera të bëjë një ndërhyrje domethënëse në vendosjen, jo vetëm të një ekuilibri në aspektin të çmimit në tregun e naftës, por edhe të një niveli krejt të ri përsa i përket transparencës së atij tregu, përsa i përket lëvizjeve të naftës në Republikën e Shqipërisë dhe përsa i përket edhe një fenomeni ende të pashterur në këtë aspekt, që është evazioni dhe kontrabanda e naftës, duke përfituar edhe nga regjimi tranzit dhe duke bërë marifete të cilave ju ka ardhur fundi.

Ne do të ndërhyjmë dhe besojmë shumë që në një periudhë, jo shumë të largët, do të tregojmë me fakte, që ndërhyrja ka qenë një ndërhyrje në të mirë të shoqërisë, në të mirë të përdoruesve të automjeteve të konsumatorëve të naftës, po mbi të gjitha, në të mirë të të gjithë atyre që nuk ndotin dhe nuk ia kanë për borxh atyre që ndotin, duke ngarë makina me naftë që në ndërkohë të paguajnë një pasojë, të cilës ne duam t’i japim fund.”