Ballina Ekonomia Pensionistët po mbushin vendet bosh të punës, mbi 10 mijë të shtuar...

Pensionistët po mbushin vendet bosh të punës, mbi 10 mijë të shtuar në 2025

84
0

Ecuria e tregut të punës në Shqipëri gjatë vitit 2025 tregon një zhvillim të pazakontë: ndërsa ekonomia ka shënuar rritje, vendet e reja të punës janë përqendruar kryesisht te pensionistët.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, numri mesatar i të punësuarve në vitin 2025 rezulton 4,886 persona më i ulët krahasuar me vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 0.4%.

Rritja e vetme pozitive në strukturën e punësimit është regjistruar në grupmoshën mbi 64 vjeç. Kjo kategori është zgjeruar me 8.7%, duke shtuar mbi 10 mijë persona të moshuar në tregun e punës brenda një viti. Në të kundërt, grupmoshat e tjera kanë shënuar rënie, ku numri i të punësuarve 15–64 vjeç është tkurrur me 15,298 persona krahasuar me një vit më parë.

Nëse pensionistët nuk do të përfshiheshin në statistika, tregu i punës do të paraqiste një rënie shumë më të theksuar.

Kjo zhvendosje demografike reflekton plakjen e shpejtë të popullsisë dhe detyron tregun të përshtatet me burimet ekzistuese të fuqisë punëtore. Ndërkohë, të rinjtë e moshës 15–29 vjeç po largohen gjithnjë e më shumë nga tregu i punës, me një rënie vjetore prej 4.3% gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të uljes së lindshmërisë dhe emigracionit të lartë.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e punësimit te pensionistët, megjithëse krijon një lehtësim të përkohshëm për tregun, mbart pasoja afatgjata për skemën e sigurimeve shoqërore dhe qëndrueshmërinë fiskale. Raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve po përkeqësohet, ndërsa forca aktive e punës vijon të tkurret me mbi 18 mijë persona në vit.

Në afat të shkurtër, punësimi i personave mbi 64 vjeç mund të sjellë të ardhura shtesë për buxhetin, pasi ata vijojnë të paguajnë kontribute ndërkohë që përfitojnë pension. Megjithatë, kjo situatë nuk konsiderohet e qëndrueshme, pasi mungon zëvendësimi nga brezat e rinj që po emigrojnë.

Mbështetja në rritje tek pensionistët për të plotësuar mungesat në tregun e punës sinjalizon një ekonomi që po përshtatet me tkurrjen e forcës së re të punës. Në këtë kontekst, presioni mbi buxhetin e shtetit pritet të rritet, duke shtuar gjasat për rritje të moshës së daljes në pension ose për rritje të barrës fiskale mbi popullsinë aktive.