Ballina Opinion Je bërë si lugati i katundit, Edi Rama

Je bërë si lugati i katundit, Edi Rama

120
0

Nga Balili Gjini 

Je plakur, Edi Rama! Je bërë si ai lugati që ngjitej mbi çatitë e katundit dhe thyente mbi oborr tjegullat e kuqe, fluturonte mbi degën e manit dhe krrokiste si korb. Tashmë edhe mashtrimet e tua s’e kanë më veskun e dredhisë estetike, janë kalbur e vyshkur si kërpudhat e helmëta mbi një zgarbull lisi. Je plakur! Ke frikë nga vdekja dhe u gërnjepsesh të gjithëve. Iku koha e çorapeve të verdha si lëkurë bananesh, që zëvendësonin llambat neon në kolonat e gazetave dhe në bulevardin e snobizmit shqiptar, koha e fjalëve të virgjëra, lëshuar në një qiell të verbër habish. Iku! Madje iku dhe koha kur ti mendoje se, kur mbreti teshtin, i gjithë populli duhet të përplasë duart pas kofshëve në shenjë miratimi. Jo vetëm kaq, por ky popull duhet të ruajë nëpër qeska thonjtë dhe flokët e prerë të mbretit si gjëra të shenjta, si hajmali, sepse mbreti mbetet mbret edhe kur është i ulur mbi uturak.

Je plakur, Edi Rama! A e mban mend?! Në fillim të mandatit kërkove tepsinë, kusinë… një arsenal me enë kuzhine. Po shpërvishje duart si kuzhinier për të gatuar për popullin. Po a gatove gjë ndër to?! Jo. Veç lave duart në pasmet e tyre të zeza që të nxirrosje fytyrën e kundërshtarëve. Vazhdimisht. Kështu e kishe më të lehtë t’i tregoje popullit lugatin e frikshëm. Kaq. Ç’mjerim i madh gjestesh e retorike! Po a qeveriset tërë jetën me folklorizëm?! Kusia jote ishte kusia e magjistricave të Makbethit. Në të vlonin zhapinjtë dhe hardhucat e korrupsionit.

Je plakur, Edi Rama. Ti kërkon të na mbushësh mendjen se lë mbrapa vetes shirita vezullues argjendi, por, ajme, sepse ato që rrekesh t’i paraqesësh të tillë, nuk janë veçse jargë kërmilli. Veç ashtu, sepse ti bën pjesë te rodina e kërmijve që janë mbuluar me jargët e admirimit të vetes. Kjo ndodh edhe kur përshëndet ushtarët turq “merhaba askerë!”, edhe kur përshëndet deputetët francezë “bonjour Francë!”. Po si kështu?! Midis këtyre frazave ekziston një humnerë semantike sa, edhe fajkonjtë po të fluturonin mbi të, do t’u merreshin mendtë. S’mund të kalosh nga njëri breg në tjetrin duke përdorur veç një shkop bambuje. Por ti je pehlivan, Edi Rama: ke hedhur një shilarëse mbi këtë humnerë dhe kolovitesh në të si i marrë. Të tjerët të shohin dhe qeshin.

Je plakur, Edi Rama. Iku koha kur mund të magjepsje turmat, duke u shfaqur gjysmë trendi, gjysmë i marrë, gjysmë hoxhë, gjysmë prift, herë me bishtin e penelit në dorë e herë me bishtin e sopatës, herë me sokëllimat e banditit dhe herë me zërin e ëmbël të rospisë në boduar. Je plakur. Gjestet e tua janë gjithë dhjamë, të shëmtuara e kaba. S’ka më varka të bardha shprese që nisen drejt Evropës, sepse ujërat e korrupsionit janë aq të fëlliqura sa do t’i ndotnin menjëherë. Atyre varkave u shkon veç një simbol: kafka e flamurit të piratëve. Ti je bërë si ai cjapi hebre që ka marrë mbi vete mallkimet e njerëzve dhe do të dërgohet në shkretëtirë për t’i shlyer ato.

Je plakur, Edi Rama. Tashmë je fara e keqe e bimës helmuese që mbin në plasat e gabimeve, në gropat e keqkuptimeve të injorancës së shumicës. Të ka mbetur veç një mënyrë ekzistence: lajka. Ah, e dimë: ajo është gjethja mitike e lotusit dhe kush e ngjyen humbet kujtesën, bie në duart e Çirçes. Kështu veprove me shumë nga drejtuesit e Evropës, duke shpresuar t’i shndërroje në derra koritash floriri, por harrove se ata s’janë marinarë të thjeshtë, por vetë mbreti Odise. Tashmë nga lajkat të ka mbetur veç gjuha e gjatë, objekt muzeal, varur mbi gjoks si kollare e kuqe. Të kanë shterur fuqitë dhe aftësitë dhe vetë godina e kryeministrisë ngjan si një stallë derrash. Ajme! S’ka thupër Çirçeje që i kthen prapë në njerëz.

Je plakur, Edi Rama. Me kusitë dhe tepsitë që të dha elektorati vazhdon të lyesh me të zezë fytyrën e opozitës. Thjesht për ritual. Por, herë pas here, harron dhe i çon ato duar mbi fytyrë. Atëherë shfaqesh para të tjerëve me fytyrën tënde të vërtetë: të nxirë dhe të sterrosur katran. Tashmë je bërë ti lugati. Je bërë lugati i këtij vendi, Edi Rama. Dhe varret e lugetërve digjen ditën e shtunë me benzinë, pikërisht kur ata lahen dhe presin thonjtë. Po, ata thonj që, për ironi, jo gjithmonë shërbejnë si hajmali. Ke bërë shumë zullume, Edi Rama. Vjen një kohë kur thonjtë futen në grykë…