Një konflikt pronësie që ka zgjatur më shumë se 20 vite, duket se do të marrë zgjidhje në organin e drejtësisë, SPAK. Deputeti Erion Braçe është kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga banorët e fshatit “Imshtë” të Lushnjës, të cilët ai i akuzonte pronarët e certifikuar si “mashtrues ordinerë” dhe “grabitës të tokës publike”, ndërsa dokumentet zyrtare tregojnë një realitet tjetër.
Si nisi historia?
Gjithçka u rindez pas postimeve të zotit Braçe në rrjetet sociale, ku ai pretendonte se toka pranë lumit Seman, e përdorur historikisht nga banorët, po grabitej nga “zengjinë të rinj”. Mirëpo, e vërteta dokumentare rezulton më komplekse. Pasuria në fjalë zotërohet me certifikatë të rregullt pronësie nga shtetasit Anduel dhe Elton Çekrezi, të cilët e kanë blerë atë në vitet 2022–2023 nga trashëgimtarët e ligjshëm.
Sipas avokatit Elis Bilali, transaksioni është kryer mbi një kartelë pasurie të lirë dhe në përputhje të plotë me Kodin Civil dhe ligjin për Kadastrën.
Shkresa e “cunguar” e ATP-së dhe zbulimi i dosjeve
Deputeti Braçe bazon sulmin e tij në një përgjigje të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), e cila fillimisht deklaroi se nuk kishte vendim për njohje pronësie në atë zonë. Megjithatë, një verifikim më i thellë në arkivat fizike të institucionit nxori në dritë dy dosje (nr. 145 dhe nr. 156), që u korrespondojnë vendimeve të vitit 1998 për kthimin e pronës. Eksperti Romeo Nazarko shpjegon se mungesa e dokumenteve në ATP shpesh vjen nga burokracia ose keqmenaxhimi i arkivave gjatë transferimeve, por kjo nuk do të thotë se vendimi nuk ekziston, për sa kohë ai ekziston në regjistrat e Kadastrës dhe ish-ndërmarrjes pyjore të Bashkisë Lushnjë.
Nga ana tjetër, banorët e fshatit Imshtë pretendojnë se toka u përket atyre, duke u bazuar në një vendim të ish-Komunës Bubullimë të vitit 2005. Ky vendim, i marrë 7 vite pasi toka u ishte kthyer pronarëve, rezulton i kundërligjshëm. Hetimet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Lushnjës kanë vërtetuar se toka nuk ishte në juridiksionin e komunës për t’u ndarë. Disa banorë kanë përgatitur akte marrje toke të falsifikuara, për të cilat janë dënuar me burg dhe gjobë.
Gjykata e Apelit Vlorë, në vitin 2014, ka urdhëruar lirimin e pronës nga zaptuesit, vendim i cili ende nuk është ekzekutuar plotësisht për shkak të rezistencës së banorëve.
Përplasja me Braçen: Ligji i vitit 2024 për një vendim të ’98-ës?
Gjatë një ballafaqimi me “Piranjat”, zoti Braçe ka përdorur si argument Ligjin për Burimet Ujore, duke pretenduar se toka nga lumi deri në argjinaturë është “publike dhe e patjetërsueshme”.
“Si bëheni ju kundër një fshati të tërë dhe kundër interesit publik?”, ishte reagimi i deputetit kur u pyet për bazën ligjore të pretendimeve të tij.
Juristët argumentojnë se një ligj i vitit 2012 apo 2024 nuk mund të ketë fuqi prapavepruese mbi të drejtat e fituara në vitin 1998. Në atë kohë, toka ishte e klasifikuar si tokë pyjore (pjesë e ndërmarrjes pyjore) dhe jo si “tokë lumi”, fakt i konfirmuar edhe nga dëshmitë e vetë banorëve dhe ish-kryeplakut të fshatit, të cilët pranojnë se aty ka pasur pyll me plepa e shelgje përpara se vetë ata ta shpyllëzonin dhe ta kthenin në tokë bujqësore.
Ndërsa Prokuroria e Fierit po vijon hetimet, aktualisht nuk ka asnjë sekuestro apo kufizim mbi pronën.
Për avokatët e palës pronare, qëndrimi i deputetit Braçe është “populizëm elektoral” që nxit banorët drejt veprave penale, siç është zaptimi i tokës, ligje të cilat ai vetë i ka votuar në Parlament.







