Më 25 mars (e mërkurë), Namir Lapardhaja do të përcillet në banesën e fundit.
Homazhet në nderim të tij do të mbahen në Pallatin e Kulturës në Berat, nga ora 11:00 deri në 13:00, ku familjarë, miq dhe kolegë pritet t’i japin lamtumirën e fundit. Familjarët njoftojnë se ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 13:00, në varrezat e Burdulliasit në Berat.
Sipas njoftimit, namazi i xhenazes do të falet në Xhaminë Mbret.
Gazetari dhe publicisti i njohur Namir Lapardhaja, ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare në Gjermani, në orët e para të mëngjesit. Shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë një trombozë në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Lapardhaja ishte një qytetar i angazhuar, publicist dhe kritik letrar, i cili shquhej për analizat e opinionet në media.
Një djalë i kulturuar, mendjehapur, që rridhte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, ai ishte gjithashtu një kritik mendjehapur i ngërçit të së djathtës së sotme shqiptare dhe sidomos problemeve që përjeton opozita e sotme. Ai ishte autor librash, esesh dhe një numri të madh artikujsh që do të mbeten trashëgimia e tij kulturore për shoqërinë dhe familjen e tij.
Analizat e drejtpërdrejta dhe kritike mbi zhvillimet politike në vend u vunë në pah edhe nga figura të njohura ditën e ndarjes së tij nga jeta, ndërsa shprehnin ngushëllimet.
Lapardhaja ka publikuar herë pas here edhe shkrime te Shqiptarja.com, ku i fundit u publikua vetëm dy ditë para vdekjes së tij, i titulluar “T’i varësh Gaz Bardhit në qafë ndryshimet statutore”.







