Te Juventus problemi nuk lidhet me mungesën e parave. Përkundrazi, në gjashtë sezonet e fundit bardhezinjtë kanë shpenzuar plot 875 milionë euro për afrime lojtarësh, mes tarifave të transferimeve, komisioneve dhe bonuseve, pa arritur të rikthehen te titulli kampion dhe pa ndërtuar një skuadër me identitet të qartë.
Ka qenë një proces i vazhdueshëm ndërtimi dhe rindërtimi, shpesh i çrregullt, i shtrenjtë dhe jo produktiv. Që nga viti 2020, kur Juventusi fitoi titullin e fundit me Kristiano Ronaldo protagonist dhe Mauricio Sarri në stol, klubi nuk ka arritur më të gjejë stabilitet. Në këto vite, bardhezinjtë kanë përfunduar një herë në vendin e tretë, tre herë në vendin e katërt, madje edhe në vendin e shtatë, ndërsa këtë sezon renditen aktualisht të pestët dhe janë tashmë jashtë kompeticioneve evropiane.
Edhe në Champions League rrugëtimi ka qenë i kufizuar, pa kaluar asnjëherë fazën e 1/8-ave, duke u kënaqur vetëm me dy Kupa Italie dhe një Superkupë. Në këtë analizë janë marrë në konsideratë vetëm lojtarët që kanë kaluar në ekipin e parë dhe vetëm kostot e transferimeve, pa përfshirë pagat. Edhe kështu, shifra mbetet marramendëse dhe jep një ide të qartë për mënyrën se si janë shpërdoruar burimet financiare. Në fakt, aksionarët, me Exor në krye, kanë mbështetur klubin me rreth 998 milionë euro në formë rikapitalizimesh që nga viti 2019. Kjo tregon qartë se problemi nuk ka qenë kurrë mungesa e fondeve, por mënyra e përdorimit të tyre.
Periudha pas titullit të fundit përkon edhe me ndryshime të shumta në drejtimin e klubit. Nga fundi i epokës së Andrea Anjelit, te largimi i Fabio Paratiçit në vitin 2021 dhe dorëheqja e presidentit në 2022, Juventusi ka kaluar nëpër disa faza menaxheriale me drejtues të ndryshëm, por me të njëjtin rezultat zhgënjyes në fushë. Edhe ndryshimet më të fundit në strukturë nuk kanë sjellë kthesën e shumëpritur. Duke analizuar blerjet, bie në sy përsëritja e gabimeve, sidomos në investimet më të kushtueshme. Në sezonin 2020-21 u shpenzuan rreth 80 milionë euro për Artur Melo dhe 54 milionë për Federiko Kieza.
Një vit më pas erdhi goditja më e madhe me Dushan Vlahoviç për 85 milionë euro, ndërsa Manuel Lokateli kushtoi 35 milionë. Megjithatë, rendimenti në fushë nuk ka qenë në përputhje me pritshmëritë. Merkatoja e sezonit 2024-25 rezultoi veçanërisht zhgënjyese: lojtarë si Teun Kopmeiners, Douglas Luiz, Niko Gonzalez dhe Llojd Kelli nuk arritën të justifikonin shpenzimet e mëdha. Në të njëjtën kohë, Juventusi lejoi largimin e talenteve si Dean Huijsen për një shumë modeste, ndërsa më pas ai u shit për shumë më të lartë te Real Madrid. Edhe në sezonin aktual shpenzimet kanë vijuar, me blerje si Françisko Konceiçao dhe detyrime të tjera financiare për lojtarë që ende nuk kanë dhënë kontributin e pritur. Në këtë kontekst, vetëm Gleison Bremer mund të konsiderohet një investim i suksesshëm që ka përmbushur pritshmëritë.
Krahasimi me rivalët e drejtpërdrejtë e bën edhe më të qartë problemin. Juventusi ka një bilanc negativ prej rreth 400 milionë eurosh në merkato që nga sezoni 2020- 21, më i larti ndër klubet kryesore italiane. Ndërkohë, Milan, Napoli dhe Inter kanë shpenzuar më pak, por kanë arritur më shumë, duke fituar tituj dhe duke mbetur në garë për të tjerë. Në fund, tabloja është e qartë: Juventusi nuk ka problem financiar, por strategjik. Paratë janë investuar, por jo në mënyrën e duhur. Dhe për sa kohë kjo nuk ndryshon, rikthimi në majë mbetet një objektiv i largët.







