Ngritja e çmimit të naftës ka pasur një ndikim të rëndë në të gjithë ekonominë e vendit, por sektori që e vuan më shumë është bujqësia.
Fermerë të rrethit të Krujës ankohen se çmimet e karburantit janë rritur edhe para fillimit të luftës në Iran. Madje, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe inputet bujqësore, të cilat janë shtrenjtuar me 30–40 për qind.
Kjo ndikon drejtpërdrejt dhe në mënyrë të ndjeshme tek fermerët, të cilët shprehen se kostoja për hektar është rritur ndjeshëm. Vetëm për një nga proceset, ose thënë ndryshe, vetëm për plugimin e një hektari, kostoja është rritur me rreth 5000 lekë të reja. Po kështu edhe me proceset e tjera, çka ka bërë që kostoja totale të rritet ndjeshëm, ndërsa prodhimi nuk e justifikon më këtë kosto.
“Ne,” shprehen ata, “jemi një nga zonat më problematike, pasi përveç rritjes së çmimeve, tokat tona përmbyten disa herë në vit për shkak të mospastrimit të kanaleve, dhe kjo na çon drejt falimentimit.”
“Sivjet jemi të detyruar të marrim para borxh te miqtë dhe të afërmit për të punuar tokat. Madje, disa prej nesh po shesin agregatet, sepse nuk kanë para për naftë.”
Skema e subvencioneve nuk është efikase, pasi sasia e naftës që jep shteti nuk mjafton as për një proces pune, jo më për të përballuar të gjitha proceset bujqësore.
“Kërkojmë nga shteti të ndërhyjë dhe të ndalojë abuzimin që po bëhet, si me naftën ashtu edhe me inputet bujqësore, pasi ato nuk kanë hyrë sot në Shqipëri, por kanë disa muaj dhe nuk ka si të rritet çmimi në këtë mënyrë për një mall që ka kohë që është magazinuar.”







