Ish-trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim në stol në të ardhmen, ndërsa ka mohuar zërat për kontakte me Real Madrid.
Duke folur në prezantimin e ekipit të Botërorit nga “Magenta TV” në Munich, Klopp i cilësoi si të pavërteta raportimet për një kalim të mundshëm në krye të klubit madrilen.
“Nëse Real Madridi do të kishte telefonuar, deri tani do ta kishim marrë vesh. Këto janë të gjitha marrëzi. Nuk kanë telefonuar asnjëherë, as edhe një herë të vetme,” u shpreh Klopp.
Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë kontakt as me agjentin e tij, duke e bërë të qartë se nuk ekziston asnjë negociatë në prapaskenë.
“Agjenti im është aty, mund ta pyesni. Nuk e kanë telefonuar as atë,” deklaroi ai.
Trajneri gjerman theksoi se aktualisht nuk po mendon për një rikthim të menjëhershëm në stol, por nuk e përjashton këtë mundësi në të ardhmen.
“Tani për tani nuk po mendoj për këtë, fatmirësisht nuk ka arsye. Për moshën time jam goxha përpara në jetë, por si trajner nuk kam përfunduar ende. Nuk kam arritur moshën e pensionimit,” tha Klopp.
Në fund, ai la të hapur çdo skenar për të ardhmen e tij, duke theksuar se nuk ka asgjë të planifikuar.
“Kush e di se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme? Por për momentin nuk ka asgjë të planifikuar,” përfundoi ai.







